AlbanianSport.com 03/11/2021 15:55
ASNN – Janë luajtur të mërkurën pasdreke ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë dhe nuk kanë munguar të papriturat. Një nga këto ka ardhur nga Egnatia, e cila ka arritur të mundë Kukësin në Rrogozhinë me rezultatin 3-1. Rrogozhinasit e bënë gjithçka të lehtë duke shënuar që në minutën e 3-të me anë të Imerit.
Më pas, braziliani Pedro Augusto Kabral, me dygolëshin e tij, në minutat 37 dhe 65, firmosi suksesin e skuadrës në këtë ndeshje të parë. Për verilindorët goli i vetëm u shënuar nga Puntus në minutën e 67-të. Fitore në fushë të huaj korri edhe Vllaznia, që ka mposhtur në fushë të huaj Pogradecin me rezultatin 2-0. Hoxhaj, pas vetëm dy minutash lojë dhe Mustedanagiç, në të 73-ën firmosën suksesin e kuqebluve.
Fitore dhe për Laçin, që ka mundur 1-0 Tomorin, gol i Ademit në minutën e 32-të. Sfida mes Flamurtarit dhe Kastriotit ka përfunduar në barazim 0-0. Partizani është zgjuar në Kupë, duke marrë një fitore minimale 1-0 përballë një kundërshtari si Besëlidhja, e cila i ka hapur jo pak punë në vitet e fundit në veprimtarinë e dytë të futbollit shqiptar.
Ka mjaftuar një gol i Zhunior me 11-metërsh në fillim të ndeshjes, që të kuqtë të hedhin një hap të rëndësishëm në këtë veprimtari. Fitore 1-0 edhe për Teutën në Peshkopi përballë Korabit, vendosi goli i Lorenco Vilës në fundin e pjesës së parë. Barazim 1-1 mes Bylisit dhe Skënderbeut. Takimi i fundit i ditës është derbi i pasdites në kryeqytet midis Dinamos dhe Tiranës
Kupa e Shqipërisë
Turi i 16-shes
Grupi A
Të mërkurën, 3 nëntor 2021:
Korabi – Teuta 0-1
Besëlidhja – Partizani 0-1
Bylis – Skënderbeu 1-1
Dinamo – Tirana 2-0
Grupi B
Të mërkurën, 3 nëntor 2021:
Tomori – Laçi 0-1
Pogradeci – Vllaznia 0-2
Egnatia Rrogozhinë – Kukësi 3-1
Flamurtari – Kastrioti 0-0