AlbanianSport.com 25.02.2015 13:45
ASNN – Mbrojtësi i Luftëtarit, Elton Zholi, që tani është futbollist i formacionit bazë në skuadrën gjirokastrite do të deklaronte: “Jemi skuadër që kemi shumë rritje në lojën tonë në këtë fazë të kampionatit. Humbjen në Kuçovë ia faturojmë gjyqtarëve të ndeshjes dhe fitoren me Lushnjën nuk do ta diskutojmë. Sepse vetëm kështu do të tregojmë që nuk e meritojmë pozicionin që kemi aktualisht në renditje.”
“Kam besim se do të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive dhe nuk do ta diskutojmë në asnjë rast për rënien nga kategoria, – ka vijuar ai. – Këtë rritje në lojën tonë e treguam në ndeshjen shumë të mirë që zhvilluam ndaj Pogradecit dhe në fushën tonë nuk do t’i diskutojmë fitoret. Nuk është dëshirë, por realitet, pasi i kemi mundësitë të dalim fitues ndaj çdo skuadre.”
“Deri në ditën e ndeshjes do të bëjmë përgatitjen e duhur dhe të përmirësojmë ato të meta të vërejtura deri tani. Kërkojmë edhe mbështetjen e sportdashësve tanë dhe u premtojmë se nuk do të dalin të zhgënjyer nga kjo ndeshje. Nuk marrim parasysh pretendimet e lushnjarëve, por vetëm fitoren. E kemi mëse të nevojshme dhe në fushën tonë duhet të mos lëmë pikë me asnjë skuadër.”
“Shohim që në ndeshjet jashtë fushe ne ndjehemi të paragjykuar dhe disa prej tyre kanë ardhur nga njëanshmëria e gjykimit, sidomos më e dukshme kjo ndaj Sopotit, Bylisit dhe tani së fundmi ndaj Naftëtarit. Kushdo që mendon se Luftëtari do të bjeri nga kategoria e ka bërë gabim llogarinë”, – ka përfunduar mbrojtësi i skuadrës gjirokastrite, Elton Zholi.