AlbanianSport.com 11.03.2015 09:45
ANN – Vladimir Gjoni, trajneri i ri i Luftëtarit, ka marrë në Gjirokastër edhe ndihmësin e tij Dritan Gjokaj. Kështu stolin gjirokastrit do ta drejtojnë dy burrelas dhe, së bashku me Ledion Shanen dhe trajnerin e portierëve Ruzhdi Lamaj, janë tashmë katër vetë që drejtojnë skuadrën bluzi në fazën e tretë të këtij kampionati. E rrezikuar nga rënia nga Kategoria e Parë, presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, po bën gjithçka që kjo të mos ndodhë.
Pasi me investimet e kryera tek kjo skuadër, por edhe për nga tradita e futbollit në këtë qytet është e papranueshme një rënie e Luftëtarit në Kategorinë e Dytë. Një nga masat për të ndryshuar gjendjen në skuadër është edhe ardhja në drejtimin e skuadrës të dy trajnerëve, që janë treguar të suksesshëm në drejtimin e skuadrës së Burrelit, e cila me një përbërje futbollistësh pa shumë emra ndodhet midis ekipeve më të mira në Grupin e Veriut.