AlbanianSport.com 26.10.2014 12:30
ASNN – “Jam shumë i gëzuar për këtë fitore të parë të sezonit, e cila ka ardhur pas një loje të bukur dhe të mirë që skuadra zhvilloi, – ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, i cili e kishte këtë ndeshje si shansin e fundit për të mbajtur pankinën. – Kjo më bëri që tani t’i hedh pas krahëve të gjitha humbjet që kemi pësuar deri më tani, ndërsa tani bindem se ky është Luftëtari i vërtetë.
“Ndoshta rikthimi i dy lojtarëve të dëmtuar si Shenaj dhe Shehaj e zbukuruan Luftëtarin që unë mendoja, – ka vijuar ai, duke folur pas fitores minimale në shtëpi me Bylisin. Dhe kështu kjo skuadër do të vazhdojë të eci përpara. Kam besim tek këto lojtarë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë për të mos humbur terren, sepse na presin ndeshje më të vështira”.
Minuta e golit:
47’ Gjirokastritët me fillimin e pjesës së dytë janë në sulm, ndërsa kanë fituar të drejtën e një goditjeje dënimi në të djathtë të sulmit të tyre. Qejvani ka krosuar drejt zonës së rreptësisë ballshiote, Frashëri me një shkëputje spektakolare me kokë e ka dërguar topin në rrjetë. 1-0
Minutat e tjera:
5’ Shehaj i Luftëtarit hyn mjaft bukur në zonën e rreptësisë ballshiote, por është penguar nga Gjonbrati dhe gjyqtari ka dhënë goditje dënimi për gjirokastritët, të cilën e ka gjuajtur Mersini, por miqtë largojnë topin në goditje këndi
10’ Frashëri pengohet në mënyrë të parregullt dhe përsëri goditje dënimi për Luftëtarin, të cilin e ka ekzekutuar Qejvani, por miqtë largojnë rrezikun.
17’ Goditje këndi për Luftëtarin, ka krosuar Qejvani, gjuan Shehaj, por një mbrojtës mik e ka larguar topin tek vija “fatale” e portës së Bylisit.
24’ Hoxha për Bylisin ka depërtuar nga e majta, por ndërhyrja perfekte dhe në kohë e mbrojtësit Rexha largon rrezikun.
33’ Sërisht miqtë këmbëngulin me Hoxhën, i cili në hyrje të zonës së rreptësisë ka gjuajtur fort, por mbi traun e portës vendëse.
43’ Goditje dënimi për Luftëtarin, kroson bukur Qejvani, topi përfundon tek Shehaj, i cili pa vetëdije ka shënuar gol, por më parë anësori Malaj kishte dhënë pozicion jashtë loje. Dhe për këtë veprim Shehaj ka marrë kartonin e dytë të verdhë dhe më pas edhe të kuqin.