AlbanianSport.com 05/01/2019 18:05
ASNN – Kukësi është një nga skuadrat favorite për të fituar titullin këtë sezon, nisur jo vetëm nga stabiliteti financiar, ai tekniko-taktik, por edhe nga blerjet e shpejta e cilësore që bëri në treg. Ardhja e Eduard Rrocës dhe Vasil Shkurtajt nga Luftëtari janë dëshmi se Kukësi e ka seriozisht luftën për titull në Kategorinë Superiore. Janë blerje që dëshmojnë seriozitet, e njëherësh përmirësim cilësie në role kyçe.
Por lëvizja e Kukësit në merkato ka rezultuar e zgjuar edhe në aspektin strategjik. Me paratë e dhëna për Luftëtarin nga dy blerjet e fundit, Kukës e shpëtoi nga falimentimi financiar edhe skuadrën gjirokastrite, e cila jo vetëm lehtësoi borxhet e papaguara ndaj lojtarëve, por tani ka nisur të mendojë për blerje cilësore. Duket e habitshme, por është e vërtetë!
Luftëtari që deri dje ishte në prag shkrirjeje, jo vetëm shpëtoi nga kriza e fortë, por tani po “shkrin” Skënderbeun, pasi po i merr lojtarët cilësorë dhe po forcohet për të shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë. Dëshmia e parë është blerja e ish-sulmuesit të Partizanit, Realdo Fili. Kurse tek Skënderbeu ka nisur të bien këmbanat e alarmit dhe largime të tilla tregojnë mungesë shprese.
Prandaj dhe klubet po nxitojnë të fitojnë sa të munden nga elementët cilësorë që ka në përbërje skuadra korçare. Ajo që më parë ishte lakuar thjesht si skenar, që Kukësi po gjen “krahë” në Gjirokastër, doli e vërtetë dhe skema funksionoi. Luftëtari do lojtarë për të mbijetuar vetë dhe falë parave që mori nga klubi verilindor ka mundësinë edhe të frenojë rivalët e Kukësit në garën për titull.
Gjithçka ndodh në futbollin shqiptar, madje edhe ato që në dukje ngjajnë të pabesueshme.