AlbanianSport.com 25.09.2014 12:05
ASNN – Luftëtari duket se në ditën e parë të kampionatit, teksa në fushën e vet të shtunën do të presë Dinamon. Bëhet ndeshje interesante, edhe sepse janë dy skuadra, të cilat kanë të njëjtin objektiv, që është ngjitja në Superiore. Ndaj dhe ky është takimi më i rëndësishëm i javës së parë, ndërsa trajneri i bluzinjve, Bledar Devolli, ka ditë që është duke punuar me ekipin për ta përgatitur këtë ndeshje.
Ndonëse ka qenë një përgatitje e gjatë, aq më tepër që kampionati i Kategorisë së Parë është shtyrë dy herë nga Federata Shqiptare e Futbollit, gjirokastritët nuk dorëzohen. Në ndeshjen e kontrollit të djeshme, bluzinjtë kanë ideuar dhe formacionin bazë, i cili është: Thano, Frashëri, Rexha, Sulejmani, Erg. Mersini, Çaço, Lluka, Çunaj, Qejvani, Nelaj dhe Aliaj.
Pavarësisht ndonjë ndryshimi të vogël, ky do të jetë formacioni i Luftëtarit përballë Dinamos. Në një kohë Devolli ka ndërprerë disa herë ndeshjen e kontrollit, duke bërë korrigjimet e duhura në skuadër, sepse duhet që Luftëtari të mos gabojë ndaj bluve të shtunën. Ai Çaços në të djathtë dhe Qejvanit në të majtë të mesfushës i ka kërkuar më shumë mbështetje të veprimeve sulmuese të skuadrës.
Sakaq Lluka do të mbajë shiritin e kapitenit të skuadrës dhe kjo iu bë të ditur dhe lojtarëve përpara stërvitjes. Devolli ka mundësi që deri të shtunën të korrigjojë përsëri veprimet e skuadrës së tij, sidomos në anën taktike, sepse ana fizike është arritur plotësisht dhe nuk ka nevojë më për ngarkesë.