AlbanianSport.com 18.10.2014 14:05
ASNN – Ndeshja me Tomorin, të cilën Luftëtari do ta luajë në fushë të huaj, është vlerësuar maksimalisht nga gjirokastritët, të cilët do të kërkojnë të bëjnë kthesën në rezultate. Skuadra, nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, ka punuar gjatë gjithë javës dhe kërkon të reagojë sa më shpejt të jetë e mundur për të hequr nga mendja dy humbjet që ka pësuar në dy javët e para të kampionatit në fushën e vet.
Duke parë që situata tek bluzinjtë është e vështirë, atëherë drejtuesit dhe futbollistët vazhdojnë të heshtin e të mos bëjnë asnjë deklaratë përpara ndeshjes. Trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ka deklaruar se skuadra e tij do të flasë vetëm në fushë. “Sa për formacionin do të jetë e vështirë ta them tani, sepse do të kemi disa mungesa, si për shkak të dëmtimeve, ashtu dhe për shkak të kartonëve”, – ka deklaruar ai.
“Do të mungojnë për arsye dëmtimi Julian Lluka, Mirel Duka, Ervin Sulejmani, Besmir Sinani, – ka vijuar Devolli. – Kurse për arsye kartonësh nuk do të jetë në Berat, Ervis Çaço. Jo vetëm kaq, por nuk do të jetë as Arlind Nora”. Në këto kushte, Devolli është i detyruar që të mbështetet tek lojtarët e stolit, të cilëve u ka besuar dhe i ka vlerësuar me lojën që ata kanë zhvilluar deri më tani.
Madje do të kërkohet që të ketë një lojë sulmuese të shpejtë, atje ku duhet gjetur rruga e rrjetës shumë shpejt. Megjithatë gjirokastritët, edhe për shkak të dy humbjeve të mëparshme, do të jenë të kënaqur edhe me barazimin. Trajneri Devolli i ka stërvitur të tijtë duke aplikuar dhe disa skema si 3-4-2-1, apo dhe 3-5-2. Dhe gjithçka do ta vendosë në fund.
Ndërkohë, një formacion i mundshëm i gjirokastritëve sot do të jetë: Thano, Rexha, Frashëri, Çunaj, Erg. Mersini, Shenaj, End. Mersini, Qejvani, Biraçi / Batha, Nelaj, Aliaj.