AlbanianSport.com 14.10.2014 09:10
ASNN – Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar një ditë më parë nga presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, analiza për të nxjerrë shkaqet e dy humbjeve radhazi të skuadrës në Gjirokastër, humbje të cilat e kanë lënë skuadrën në kuotën e zero pikëve, nuk është bërë. Dhe për rrjedhojë, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ka zbritur në fushën e blertë të stadiumit Gjirokastra, atje ku ka nisur dhe javën e përgatitjes për ndeshjen që ka në Berat ndaj Tomorit vendës. Për bluzinjtë, pavarësisht se kërkohet kthesa në rezultate, do të jetë një ndeshje e vështirë jashtë.
Analiza që duhej bërë është shtyrë për arsye pune nga presidenti Bime, i cili nuk duket se e ka plotësisht inatin me lojtarët, por dhe me drejtuesit. Sepse çfarë ata kanë kërkuar për skuadrën ua ka plotësuar. Bëhet fjalë për afrimet e futbollistëve, si dhe për plotësimin e bazës materiale, ndërsa tek Luftëtari, për hir të së vërtetës duhet pranuar se, nuk mungon asgjë. Dhe në fakt është vetë presidenti Bime, i cili ka mbetur i zhgënjyer nga rezultatet negative në skuadër.
E përtej kësaj, drejtuesit e stafi teknik kanë më shumë se dy javë që nuk prononcohen për mediet sportive, ndërsa vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj gazetarëve. Ndoshta atyre nuk u vjen mirë që të gjitha hallet e Luftëtarit janë nëpër faqet e gazetave. Por në fund të fundit kjo është puna e gazetarëve që të bëjnë realitet, në të mirë e në të keq, të gjitha problemet e skuadrës.