AlbanianSport.net 23.10.2016 18:45
ASNN – Tirana është mundur 2-1 nga Luftëtari në ndeshjen e javës së 8-të të kategorisë superiore. Skuadra gjirokastrite ka luajtur më mirë se kryeqytetasit, të cilët nuk kanë mundur të jenë rezultativë në sulmet e tyre. Luftëtari luan më mirë dhe përveç dy golave të shënuar ka humbur edhe raste të tjera për ta thelluar rezultatin. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Tirana nuk ka mundur të ruajë serinë e rezultateve pozitive, teksa është mundur 2-1 nga Luftëtari në ndeshjen e javës së 8-të të Kategorisë Superiore. Pas asaj ndeshje të bukur të shfaqur ndaj Skënderbeut, të dielën kundër Luftëtarit shfaqet në fushë një Tiranë pa grintë, me një sulm që nuk është rezultativ dhe një mbrojtje aspak të organizuar.
Në ndeshjen e luajtur në Peqin, 40 minutat e para të dyja skuadrat nuk krijojnë asnjë rrezik në portat kundërshtare. Pikërisht në këtë minutë një gabim i mbrojtjes së Tiranës u kushton shtrenjtë kryeqytetasve teksa e shohin veten në disavantazh. Eshtë Rexhinaldo që kalon Luftëtarin në epërsi. Minuta e 43-të dhe rrezikon Tirana. Mervijë në zonë pason për Moises, por topi i goditur nga ky i fundit pritet nga Miraka.
Dy minuta më vonë, është mbrojtja gjirokastrite që gabon dhe Afrim Taku shënon golin e barazimit. Me rezultatin 1-1 mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë është më e bukur teksa portierët përkatës vihen në provë nga sulmuesit e të dyja skuadrave. Në minutën e 52-të është një kundërsulm i shpejtë i Luftëtarit me Sotononë, por portieri Lika e neutralizon këtë sulm të afrikanit.
Luftëtari ka iniciativën dhe, në të 57-ën minutë, Devi Bregu shënon golin e dytë për Luftëtarin. Sulmuesi vlonjat, brenda zonës së bardhebluve, fillimisht shmang Domgjonin dhe me një gjuajtje të bukur realizon, 2-1 për Luftëtarin. Gjirokastritët janë shumë pranë golit të tretë në të 66-ën, por portieri kryeqytetas, Ilion Lika, shpëton portën pas goditjes së Rexhinaldos.
Megjithë përpjekjet sulmi i Tiranës nuk ka qenë efikas, duke bërë që mbrojtja dhe portieri Miraka t’i neutralizonin topat e ardhur në zonën e tyre. Pas kësaj humbje Tirana mbetet në vendin e 4-t, me 13 pikë. Ndërsa Luftëtari ngjitet në kuotën e 13 pikëve, po aq sa Vllaznia, që ka mundur Teutën 1-0. Në ndeshjet e tjera, të luajtura një ditë më parë u arritën rezultatet Korabi-Partizani 0-1, Laçi-Flamurtari 1-1 dhe Skënderbeu-Kukësi 0-0.