AlbaniaSport.net 22.01.2015 09:25
ASNN – Luftëtari ka ditur të fitojë me Lushnjën kryesuese, edhe pse pjesën e dytë e ka luajtur në pjesën më të madhe me një lojtar më pak. Sepse në një kundërsulm të Lushnjës, teksa Çela ka përparuar drejt portës gjirokastrite, nga pas ka ndërhyrë Frashëri, i cili është ndëshkuar me karton të kuq. Me një futbollist më pak, Gjoni ndrysho dhe vendosjen e lojtarëve duke lënë të vetëm në sulm Brahon. Në këtë mënyrë loje, Luftëtari, edhe pse në disa moment u rrezikua të pësonte gol, ia doli të fitonte ndeshjen dhe të jetë më e qetë për mbijetesën.
Loja filloi me epërsi të gjirokastritëve dhe në disa raste Braho, Duka, Çunaj dhe Shenaj mund të shënonin në portën e lushnjarëve. Në fundin e pjesës së parë, Luftëtari ka fituar një goditje dënimi, atje ku Duka ka gjuajtur fort dhe mbrojtësit lushnjarë nuk e kanë larguar dot rrezikun, ndërsa Braho ka përfituar dhe ka shënuar. Në pjesën e dytë është një dialog i gjatë mes sulmit lushnjar dhe mbrojtjes gjirokastrite. Birja, Brahimi, Shena dhe Zholi ishin të pakalueshëm. Raste Lushnja pati me Cankën, Çelën, Taullain dhe Branicën.
Bluzinjtë aplikuan kundërsulmin dhe me Llukën e Çaçon mund ta kishin dyfishuar rezultatin. Gjirokastritët e administruan mirë pjesën e dytë duke luajtur të qetë dhe nuk nxitoheshin në shumë veprime gjatë lojës duke i acaruar në disa raste futbollistët miq. Madje në rastet e rivënieve anësore ka reaguar dhe stoli e Lushnjës. Në këto kushte, fitore e merituar e Luftëtarit, ndërsa mbështetja e tifozëve ka qenë një plus për skuadrën e Gjonit.
Drejtimi nga stoli i trajnerëve Gjoni e Gjokaj, të cilët nuk rreshtën në asnjë moment deri në përfundimin e takimit, bëri të mundur që futbollistët t’i përmbaheshin detyrave taktike dhe përqendrimi në lojë të ishte maksimal. Fundi i ndeshjes solli edhe disa acarime midis futbollistëve, por ndërhyrja e drejtuesve nga të dyja ekipet normalizoi situatën me përjashtim të veprimeve të futbollistëve lushnjarë, të cilët kanë dëmtuar dyert e dhomës së zhveshjes dhe kanë humbur çelësin e saj.
Luftëtari – Lushnja 1-0
Shënues: Braho 45’
Luftëtari: Birja, Brahimi, Çunaj, Frashëri, Zholi, Shenaj, Duka, Çaço (Gaba 90’+3), Lluka (Tahirllari 83’), Erg. Mersini, Braho (End. Mersini 86’). Trajner: V. Gjoni.
Lushnja: Spaho, Bizhyti, Sula, Bakiasi, Vogli (Ndoni 61’), Baze, Taullai, Gjyla (Gjoni 78’), Branica, Çela, Çanka. Trajner:A. Bano
Gjyqtarë: B. Pashaj, D. Myftari, N. Bregasi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Çunaj, Duka / Branica
Karton i kuq: Frashëri