AlbanianSport.com 12.12.2014 17:55
ASNN – Kapiteni i gjirokastritëve karikon skuadrën në prag të sfidës në “Selman Stërmasi” të shtunën: “Një vit më parë kam luajtur me këtë skuadër, e cila sot pretendon Superiore. Por kërkojmë edhe ne”. Është treguar tepër aktiv mesfushori i skuadrës gjirokastrite Fejzo Shenaj ditët e fundit të stërvitjes. Ai më shumë se nga vetja ka këmbëngulur ndaj futbollistëve të tjerë të përqendrohen më shumë dhe më mirë në stërvitje për takimin e së shtunës, ku Luftëtari do të jetë në fushë të huaj, në Tiranë ndaj Dinamos.
Kapiteni i skuadrës gjirokastrite, Fejzo Shenaj, që një sezon më parë ka qenë pjesë e Dinamos në lidhje me takimin e së shtunës shprehet: “E kam diskutuar edhe me shokët e skuadrës se jemi ne përgjegjësit e situatës në të cilën u ndodh ekipi ynë pas rezultateve negative në tre javët e para. Humbëm tre takimet e para, dy në fushën tonë, pasojat e të cilave i ndjejmë edhe sot dhe jemi po ne që bëmë kthesën e duhur dhe kështu do të vazhdojmë. Që do të thotë se edhe ndaj Dinamos do të kërkojmë fitoren pasi mundësitë i kemi.”
“Fakti që kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira tregon se janë aftësitë dhe mundësitë t’i tregojmë edhe në stadiumin “Selman Stërmasi”, kur dihet që në Tiranë, Luftëtari nuk ka zhgënjyer dhe ka dalë fitues me skuadrat që është ndeshur, – ka vijuar ai. – Kam bindjen e plotë se ndaj Dinamos do të tregojmë vlerat që mbart ekipi dhe do t’u kthehemi paraqitjeve të mira duke e fituar ndeshjen. Jemi përgatitur edhe në planin psikologjik, duke mos u ndikuar nga pozicioni i skuadrës dinamovite. Me Dinamon kam luajtur një sezon më parë kur skuadra nuk ishte në nivelin e këtij kampionati.”
“Ndërsa tani pretendon Kategorinë Superiore dhe do të kërkojë edhe ajo fitoren. Kjo do ta bëjë takimin më të fortë. Do të kemi mungesën e Rexhës dhe Brahimit, por kthimi në formacion i Ergys Mersinit dhe Shehajt na plotëson formacionin e duhur në këtë ndeshje. Nuk na impresionon fakti se luajmë në fushë të huaj, pasi parashikoj një mbështetje më të madhe për ekipin tonë nga ana e tifozërisë, që do të jetë e pranishme në stadiumin “Selman Stërmasi”, – ka përfunduar kapiteni i skuadrës gjirokastrite, Fejzo Shenaj.