AlbanianSport.com 13.03.2015 19:10
ASNN – Duke folur për ndeshjen ndaj Bylisit, kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shenaj do të deklaronte: “Kemi shfaqur dobësi në takimet e deritanishme dhe shumë ndeshje nuk duhej t’i kishim humbur, sidomos në fushën tonë. Në shumë ndeshje kemi prodhuar lojë, por nuk kemi mundur të marrim rezultat pozitiv. Dhe përsëri përgjegjësia është e jona, pasi nuk jemi treguar profesionistë si gjatë stërvitjes, ashtu edhe gjatë ndeshjes.”
“Jemi ngarkuar në shumë raste me kartonë të panevojshëm dhe në të shumtën e ndeshjeve kemi luajtur pa formacionin e plotë, – ka vijuar ai. – Më shumë duhej të kisha bërë edhe unë si kapiten, sidomos gjatë lojës, dhe është rasti të premtoj se këto mangësi nuk do të përsëriten më. Dhe në Ballsh do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe shpresat i kemi që të mos dalim pa pikë.”
“Madje në këtë ndeshje edhe një barazim është i vlefshëm për ne, pasi ndodhemi në fundin e tabelës dhe ndjehemi të rrezikuar për rënien nga kategoria, – ka theksuar futbollisti gjirokastrit. – Them ndjehemi të rrezikuar, por kjo nuk do të ndodhë, sepse jam optimist, sidomos me ardhjen e trajnerëve të rinj, shumë gjëra po ndryshojnë në skuadër.”
“Sidomos kjo në përgatitjen fizike, por edhe në rritjen e moralit në skuadër. E ne jemi në gjëndje të fitojmë ndaj çdo skuadre në grupin tonë dhe shpresat i kemi që edhe këtë të shtunë të mos dalim pa pikë nga fusha e Ballshit”, – ka përfunduar kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shenaj.