AlbanianSport.com 28.10.2014 21:40
Sekretari i Klubit Luftëtari hedh poshtë të gjitha akuzat e trajnerit Nenaj pas ndeshjes: “Drejtuesit e ballshiotëve janë amatorë dhe jo specialistë të futbollit shqiptar”. Në lidhje me akuzat e drejtuesve të Bylisit, të cilët pas humbjes në Gjirokastër, 0-1, kanë deklaruar se drejtuesit bluzinj kanë ushtruar presion tek gjyqtari dhe kanë thyer derën e dhomës së zhveshjes së tyre, ka folur Sekretari i Klubit “Luftëtari”, Sefedin Braho. Sipas tij, të gjitha akuzat e ballshiotëve janë të pavërteta dhe duan të nxijnë fitoren e merituar të gjirokastritëve.
“Të dëshpëruar për shkak të humbjes, ata duan të kapin veshin me dorën tjetër, – ka deklaruar ai. – Jo vetëm sipas mendimit tonë si drejtues, por dhe sipas asaj që kanë thënë të dërguarit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndeshja me Bylisin, e luajtur të shtunën në Gjirokastër, ka qenë brenda standardeve të kërkuara. Madje brenda çdo standardi që përmban rregullorja e futbollit dhe nuk është e vërtetë gjyqtarët e takimit janë kërcënuar prej nesh, apo aq më tepër të jenë thyer xhamat e derës së dhomës së gjyqtarëve.
“Pretendimeve të ballshiotëve u ka dhënë përgjigje delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, Agim Mone, i cili ka kërkuar që trajneri i Bylisit të jetë më serioz në deklaratat e tij e të mos shpifë me akuza të paqena, – ka vijuar Braho. – Trajneri Nenaj ka pranuar humbjen dhe ka thënë se në 90 minutat e zhvilluara brenda fushës është luajtur një ndeshje e bukur. Madje ka falënderuar dhe Luftëtarin për mikpritjen, si dhe e ka uruar atë skuadër për fitoren. Prandaj drejtuesit e Bylisit nuk duhet të shpifin dhe të akuzojnë pa vërtetuar ato pretendime që kanë ngritur ndaj nesh si drejtues të Luftëtarit.”
“Nëse duan ballafaqim jam gati të përballem në FSHF, por ama edhe delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, Agim Mone, ia ka bërë të qartë trajnerit Nenaj që të mos shpifë. Ndaj dhe ai i kërkoi ndjesë delegatit për ato deklarata të shpifura që dha pas ndeshjes duke e krahasuar takimi në Gjirokastër me atë që ka ndodhur në Beograd, Serbi-Shqipëri. Por në fakt skuadrat jonë e meritoi fitoren edhe me 10 futbollistë, prandaj e theksoj se drejtuesit e Bylisit janë amator dhe jo specialistë të futbollit shqiptar”, ka përfunduar sekretari Sefedin Braho.
Ndërkohë, skuadra gjirokastrite i është rikthyer stërvitjes për të përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat, atë në fushë të huaj ndaj Pogradecit.