AlbanianSport.com 05.11.2014 12:30
ASNN – Bluzinjtë e Luftëtarit janë duke vazhduar përgatitjet e tyre për ndeshjen e radhës në kampionat, të cilën do ta luajnë ndaj Naftëtarit në Gjirokastër të shtunën e ardhshme.
Ende ka “pishmane” për sa i përket ndeshjes me Pogradecin, sepse të gjithë janë të bindur që nëse do të kishte qenë grupi i plotë, atëherë nga “Gjorgji Kyçyku” i qytetit liqenor do të mund të kishin dalë dhe me pikët e plota.
Por edhe barazimi ka treguar se skuadra gjirokastrite është duke iu kthyer vlerave të veta maksimale, pse jo dhe objektivit që në fillimin e kampionatit për ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Dje Luftëtari është stërvitur në fushën sportive të Derviçianit, atje ku trajneri Devolli është marrë më tepër me anën fizike të skuadrës. Por në të njëjtën kohë, ai nuk ka lënë mënjanë dhe ndeshjet brenda grupit, të cilat shërbejnë dhe për rikuperimit të gabimeve që ka shfaqur skuadra gjatë ndeshjes në Pogradec.
Më së shumti, Luftëtari ka gabuar në finalizimin përpara portës, kurse seanca e djeshme stërvitore ka zgjatur rreth dy orë.