AlbanianSport.com 10.01.2015 19:55
ASNN – Luftëtari, edhe duke qenë se trajneri Bledar Devolli i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda familjes. Në përfundim të saj, për gazetat sportive të ditës, Devolli do të deklaronte: “Ndjej një kënaqësi të veçantë nga zhvillimi i kësaj ndeshjeje në këtë terren cilësor, i cili do të na japë mundësi për një përgatitje të mirë duke i dhënë fund vuajtjeve tona. Kjo përbën detyrim për rritjen e nivelit të lojës pasi tani kemi një justifikim më pak dhe nuk mund të ankohemi për mundësinë e stërvitjes.”
“Me prurjet e deritanishme Dosti, Tahirllari dhe Braho zgjidhim drejt repartet e lojës dhe presim edhe një futbollist tjetër, pavarësisht nëse do të vijë apo jo Qejvani në skuadër, – ka vijuar trajneri i gjirokastritëve. – Deri në ditën e parë të fazës tjetër kemi kohën e mjaftueshme për të konsoliduar lojën e skuadrës dhe të bëjmë plotësimet e duhura. Na ka ardhur për provë edhe një futbollist me aftësi të kufizuara, që as flet dhe as dëgjon, por nuk janë këto aftësi që vendosin për të ardhmen e tij nëse do të jetë ose jo në skuadër.”
“Është ndihmesë edhe për të, i cili ka dëshirë të luaj dhe me aktivizimin në ndeshjen e sotme të kontrollit më jep të drejtë ta mbaj në ekip, pavarësisht mungesës së shqisave të dëgjimit dhe të të folurit, – ka vijuar Devolli. – Komunikojmë shumë mirë midis nesh dhe futbollistëve. Kampionati është i gjatë dhe kërkon futbollistë që të dublojnë rolet e njëri-tjetrit. Data 7 shkurt, kohë kur fillon edhe kampionati, do të na gjejë të përgatitur shumë mirë dhe do të përballemi me çdo kundërshtar, vetëm për fitore, pa u ndikuar se me kë dhe me cilin do të luajmë.”
“Nuk heqim dorë nga objektivi që morëm në fillim të sezonit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Mundësitë dhe kushtet në këtë vit janë më të favorshme dhe besoj se do ta realizojmë objektivin”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli.