AlbanianSport.com 04.11.2014 10:35
ASNN – Pas barazimit në Pogradec, situata në kampin e gjirokastritëve duket e qetë. Megjithëse tek gjirokastritët ka edhe keqardhje për mosshfrytëzimin e rasteve për shënim, të cilat do të mund të kishin sjellë fitoren e Luftëtarit në ndeshjen e luajtur në Stadiumin e miqve, “Gjorgji Kyçyku”. Megjithatë kjo pikë, që ka ardhur pas fitores së rëndësishme me Bylisin një javë më parë, do të thotë që Luftëtari e ka kaluar tashmë të keqen.
E që dje, teksa kanë zbritur në fushën e stërvitjes në ora 14:00, gjirokastritët kanë nisur përgatitjet e tyre për ndeshjen e radhës me Naftëtarin në Gjirokastër të shtunën e ardhshme. Në një prononcim për gazetat sportive të ditës, mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Elvis Rexha, do të deklaronte: “Barazimi i marrë në Pogradec ishte i kënaqshëm, pasi kishim një skuadër që jo vetëm tregoi vlera në fushën e lojës, por mbi të gjitha e meritonte të fitonte.”
“Por edhe barazimi i mjaftueshëm është, pasi kishim të bënim përballë me një skuadër, e cila ka në gjirin e saj lojtarë cilësorë, – ka vijuar ai. -. E aq më tepër që kanë afro tre vjet që luajnë bashkë. Megjithatë tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajmë në Gjirokastër, ndërsa do të presim Naftëtarin e vendit të fundit. Nuk duhet të na pushtojë euforia, sepse Naftëtari, pavarësisht se është në vendin e fundit, i ka hapur punë të gjitha skuadrave.”
“Por unë mendoj se me fitoren ndaj Bylisit dhe barazimin me Pogradecin e kemi kaluar të keqen dhe tashmë kemi të gjitha shanset për t’u kthyer tek objektivi i fillimit, që është kalimi në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Elvis Rexha.