AlbanianSport.com 01.02.2015 15:45
ASNN – Për Luftëtarin ka nisur java anti-Bylis. Mirëpo ka qenë një start jo shumë i favorshëm, sepse shirat e shumtë të këtyre ditëve nuk i japin mundësinë të përgatiten në kushte normale. Të premten i janë rikthyer për stërvitje Pallatit të Sportit, sepse në fushën e vjetër në Gjirokastër terreni ka qenë shumë i rrëshqitshëm. E djeshmja është lënë pushim dhe nga e hëna do të fillojnë normalisht përgatitja. Sipas futbollistit shkodran Ervis Rexha, që nuk udhëtoi drejtë qytetit të lindjes për shkak të distancës së largët, faza e dytë do të jetë më rezultative për Luftëtarin.
“Është më e përgatitur skuadra në treguesit fizik, pasi minifaza përgatitore e dimrit u zhvillua e plotë dhe kjo në saj të kushteve më të mira të krijuara nga përfundimi i impiantit të ri stërvitor, – ka deklaruar ai. – Për rrjedhojë lojtarët shfrytëzuan shumë mirë orët e stërvitjes dhe pa u penguar në asnjë ditë. Ne vetë lojtarët jemi më të motivuar në stërvitje dhe kemi bërë shumë përparime në përvetësimin e programit stërvitor. Dosti dhe Tahirllari plotësojnë më mirë repartet e lojës duke e bërë formacionin më funksional.”
“Dosti në mbrojtje i jep mundësi Frashërit të luajë në sulm dhe Tahirllari në sulm plotëson këtë repart, – ka vijuar Rexha. – Në fazën e parë kishim lojtar dhe jo se nuk ia vlenin, por mungesat ishin në këto pika që janë të rëndësishme dhe nuk e bënin skuadrën rezultative. Mungesat e disa titullarëve ishin shkaku kryesor që dështuam në tre ndeshjet e para, por mungesa e lojtarëve me tipare sulmuese ishte kryesorja dhe ndikoi negativisht gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit. Në pjesën e dytë premtojmë të marrim maksimumin e pikëve dhe besoj se në përfundim të saj do të rreshtohemi midis ekipeve që pretendojnë Superioren. Në grupin tonë janë disa ekipe që luftojnë për vendin e parë dhe fakti që diferenca e pikëve midis tyre nuk është shumë e madhe do ta bëjë më të fortë garën.”
“Por është edhe një mundësi që edhe ne të jemi midis tyre në garë për ngjitjen në Superligë. E kemi marrë këtë premtim dhe besoj se do ta realizojmë. Ndeshja e parë e pjesës së dytë ndaj Bylisit do të jetë tepër përcaktuese. Ndaj do të mobilizohemi për ta fituar. Duke qënë ndeshje në transfertë ka më shumë vlerë dhe e kemi të qartë se nuk mjaftojnë vetëm pikët në fushën tonë për të përmbushur objektivin”, – ka përfunduar shkodrani i Luftëtarit, Ervis Rexha.