AlbanianSport.com 02/10/2018 15:15
ASNN – Për Luftëtarin, përballja e radhës, ajo me Kamzën, është shumë e rëndësishme jo vetëm për pozitat thuajse të njëjta në renditje por edhe për vetë moralin e skuadrës. Fitorja është e detyrueshme për skuadrën e tij, kështu është shprehur edhe në konferencën për shtyp, trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani.
“Është një ndeshje ku fitorja është detyrim, sepse Kamza është rival direkt dhe fitorja na qetëson disi, – ka thënë vlonjati i stolit gjirokastrit. – Do të bëjmë më të mirën, me synim të vetëm 3 pikët e plota.” Gjirokastritët vuajnë mungesa të rëndësishme në mesfushë. Atyre u shtohet edhe Ramadani për arsye kartonësh.
Por Mezani ka menduar për t’i zëvendësuar ata. Madje mendon se të rinjtë do të luajnë më mirë për të treguar se e meritojnë fanellën. “Sigurisht, kemi mungesa të rëndësishme, duke përfshirë Ramadanin, i cili është i pezulluar, por jam i sigurt që lojtarët që do të luajnë do të japin gjithçka”, – theksoi ai.
“Ndoshta edhe më shumë se titullarë si Ramadani e Aleksi, për të treguar se e meritojnë fanellën dhe pse jo ta ruajnë vendin në formacion”, – ka vijuar trajneri i Luftëtarit. Duke parë edhe ndeshjen e kaluar, trajneri i Luftëtarit nuk i druhet aspak gjykimit.
Ai mendon vetëm për ndeshjen, për lojtarët e tij si dhe të fitojë ndeshjen. “Ndaj Kukësit u ankova pas ndeshjes, jo për gjykim të keq, por për të kërkuar ndoshta një gjyqtar me pak më tepër eksperiencë, që të mbante pak më shumë presionin, por nuk i druhem aspak gjykimit”, – ka pohuar Mezani.
“Nuk kam për të folur asnjëherë për gjykimin, sepse nuk është në karakterin dhe stilin tim të punës. Mendoj se ne duhet të bëjmë gjithnjë më shumë se kundërshtari, një gol më shumë se kundërshtari, për ta fituar atë ndeshje, pa gjetur justifikime”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit.