AlbanianSport.com 25.10.2014 13:05
ASNN – E shtuna është dita që futbollistët duhet të tregojnë veten dhe të nderojnë fanellën e Luftëtarit. Madje duhet të zbresin me zemër në fushë për të treguar se nuk do të gabojnë më, ashtu siç dhe kanë bërë në tre ndeshjet e para, ndërsa Luftëtari ka zero pikë. Për më tepër ato do të kërkojnë me këmbëngulje fitoren, që do të shënojë 3-pikëshin e parë të sezonit për bluzinjtë. Pasi çdo hap tjetër do të jetë fatal për Luftëtarin, e cila do të rrezikojë seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë.
Skuadrës në fakt i është kyçur goja, kurse për mediat, një ditë përpara ndeshjes me Bylisin, ka folur trajneri i gjirokastritëve Bledar Devolli. “Normalisht jemi në një gjendje kritike, pasi kemi pësuar tre humbje në tre javët e para të kampionatit, – ka deklaruar ai. – E keqja është se dy prej tyre i kemi pësuar në shtëpi. Ndaj duhet ta nxjerrim me sukses sfidën me Bylisin, pasi tani mund të them që nis kampionati i vërtetë për Luftëtarin.”
“Në skuadër nuk ka më të dëmtuar dhe kjo më bën që të jem optimist, ndërsa tashmë janë rikthyer Shehaj, Shenaj, Sulejmani, – ka vijuar Devolli. – Ndeshja me Bylisin është e vështirë, teksa është një skuadër që vjen nga Kategoria Superiore dhe ka futbollistë që në çdo moment të ndëshkojnë. Megjithatë jam optimist për grupin e lojtarëve, sepse ua njoh mirë aftësitë. Mendoj të kemi dhe fatin me vete dhe pavarësisht se është ndeshje e vështirë, shpresoj që të marrin trepikëshin e parë të sezonit.”
“Nëse nuk do të kisha qenë kaq optimist dhe mund të dorëhiqesha, – ka këmbëngulur ish-futbollisti i Luftëtarit. – Por kam besim se do ta nxjerrim me sukses ndeshjen, ndërsa kam porositur lojtarët që të jenë më efikas në fazën sulmuese. Ftoj sportdashësit të na mbështesin, sepse kemi nevojë për ta. Një skuadër me sportdashësit e saj është më e fortë në fushën e vet. Ndaj shpresoj që të gjithë së bashku t’ia dalim me Bylisin.” Formacioni i mundshëm i Luftëtarit për ndeshjes e sotme është: Birja, Rexha, Sulejmani, Çaço, Çunaj, Frashëri, Erg.Mersini, Qejvani, Shehaj, Nelaj.