AlbanianSport.com 09.10.2014 14:10
ASNN – Për situatën që po kalon skuadra e Luftëtarit, për gazetat sportive të ditës ka folur ish-lojtari i kësaj skuadre, Neritan Novi. “Në radhë të parë, – thotë Novi, – ndjej keqardhje që skuadra, ku kam lindur dhe jam rritur si futbollist, e ka nisur kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk mbaj mend ndonjëherë në jetën time si futbollist dhe si drejtuesi i kësaj skuadre të kemi pasur një nisje të tillë të kampionatit.”
“Ky zhgënjim mendoj se ka ardhur dhe si pasojë e mungesës së tre futbollistëve kryesorë për formacionin gjirokastrite si Sinani, Shenaj dhe Nora, – ka vijuar ai. – Të tre bashkë i kanë hapur një gropë të madhe kësaj skuadre. Megjithatë isha i bindur se me krijimin e kësaj skuadre, apo dhe me nisjen e periudhës përgatitore shumë shpejt, Luftëtari do të ishte një skuadër e fortë.”
“Dhe si e tillë nuk do t’i trembej asnjë kundërshtari, – ka theksuar ish-futbollisti. – Në krye kanë dhe një trajner si Bledar Devolli, i cili ashtu sikurse ishte lojtar, edhe si trajner do të dinte të ndërtonte një formacion fitues. Skuadra përbëhet nga 11 lojtarë, të cilët marrin udhëzimet nga trajneri. Por varet se si ata i zbatojnë në fushën e lojës. Unë kam besim se ndërprerja e kampionatit do të sjellë gjëra pozitive në ecurinë e kësaj skuadre.”
“Dhe kjo gjendje, e cila ka pllakosur këtë ekip, do të kalojë shumë shpejt, – ka theksuar ai. – Tashmë skuadrën do ta ndihmojë dhe fati në rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar, ndërsa kthimi i tyre do të rrisë nivelin e kësaj skuadre dhe do ta kthejë atë në atë pikë që e kërkon trajneri Devolli. Ndoshta përgjegjësitë për rezultatet mund t’i mbajë trajneri, por dhe futbollistët duhet të nxjerrin mësime nga dy humbjet e para.”
“Kampionati është i gjatë dhe nuk i falen më gabime të tilla. Dhe me ndryshimin e gjendjes psikologjike, edhe vetë futbollistët do të jenë më mirë në ndeshjet e ardhshme”, – ka përfunduar ish-lojtari i skuadrës së Luftëtarit, Neritan Novi.