AlbanianSport.com 24.02.2015 11:35
ASNN – Kanë mbetur të befasuar bluzinjtë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë ende se cili ishte shkaku i atij gjykimi skandaloz në Kuçovë në ndeshjen Naftëtari-Luftëtari. “Në një ndeshje delikate si Naftëtari-Luftëtari nuk mund të dërgohej një gjyqtar amator dhe fakti që dy prej tyre ishin nga Poliçani e tjetri nga Lushnja kompromenton faktuesin e gjyqtarëve në FSHF. Sepse ashtu siç shkoi ndeshja do të ishte më mirë që gjyqtarët të ishin nga Kuçova”, – thonë me ironi gjirokastritët.
“Ndërkohë që Superiorja ishte pushim dhe mund të gjendeshin të tjerë gjyqtarë dhe dërgohen tre të panjohur, ndërsa kryesori nuk dinte as t’i frynte bilbilit”, – kanë aluduar bluzinjtë. Shefi i klubit të Luftëtarit, Sefedin Braho, shprehet se nuk i ka ndodhur asnjëherë në karrierën e tij të gjatë si futbollist, por edhe si kuadër i sportit të këtë asistuar në një gjykim të tillë. “Jemi penalizuar edhe herë të tjera, sidomos në fushë të huaj. Por rasti i Kuçovës është skandaloz.”
“Duket i paragjykuar rezultati me Naftëtarin, por le të ishte zgjedhur një mënyrë tjetër dhe jo t’i besohej kjo tre adoleshentëve, që s’kanë për t’u bërë kurrë gjyqtarë përderisa e kanë filluar në moshë të re të bëhen vegël e të tjerëve. Madje e kanë nisur atëherë kur duhet të japin sado pak drejtësi”, – ka thënë Braho. Futbollist Ardit Çunaj, edhe pse ka pak vite që luan futboll shprehet se: “Edhe me moshat nuk jemi gjykuar në atë mënyrë, kur kemi pasur të bëjmë me gjyqtarë të rinj që edhe mund të gabojnë”.
“Në të shumtën e kohës e ndoqa ndeshjen e skuadrës tonë nga stoli, por u lodhëm duke u ngritur në këmbë kur shikonim veprimet e Dyrmishit dhe pastaj e mblodhëm mendjen se nuk kishim çfarë të bënim”, – ka shtuar ai. Kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shena, ka mbetur edhe më shumë i befasuar nga ajo mënyrë të gjykuari, por shprehet se duhet mobilizuar në ndeshjet e ardhshme për t’i fituar ato dhe për të treguar se Luftëtari nuk e meriton të jetë në atë pozitë renditjeje.
“Na duhet fitorja me Lushnjën dhe do ta realizojmë atë, – ka këmbëngulur ai. – Nuk do të jetë e lehtë, por i kemi të gjitha mundësitë për fitore dhe do të punojmë gjatë gjithë javës të korrigjojmë në lojën tonë. Madje duhet të tregojmë se janë gabim ata që mendojnë se Luftëtari duhet të bjerë nga Kategoria. Kushdo qoftë ai, qofshin edhe shumë gjyqtarë si ata që na kanë ndëshkuar në shumë ndeshje në fushë të huaj, duhet ta dinë se Luftëtari nuk bie nga Kategoria.”
“Ndërkohë që në Gjirokastër asnjë skuadër nuk është ankuar për arbitrim të padrejtë. Përkundrazi na kanë falënderuar edhe për mikpritjen. Edhe pse na e kanë mohuar në shumë raste, ne do të vazhdojmë në traditën tonë duke i respektuar, sepse edhe kjo është pjesë e lojë së futbolli që duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë njerëzit”, – përfundon kapiteni i Luftëtarit, Fejzo Shena.