AlbanianSport.com 27.01.2015 21:15
Trajneri i bluzinjve, Bledar Devolli, është vënë para vështirësive për 11-shen, Luftëtari tashmë ka një dyndje futbollistësh, të cilët kanë rritur konkurrencën në ekip. Shumica e futbollistëve të Luftëtarit e kanë të qartë pozicionin e vendosjes, por Devolli praktikon lëvizje të reja të lojtarëve dhe kjo në përshtatje me dy futbollistët e ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve. Bëhet fjalë për Artanant Tahirllari, që është i deklaruar sulmues i krahut të majtë.
Por mbetet në dilemë krahu tjetër i sulmit dhe kjo do të zgjidhet midis Frashërit dhe Çaços nëse nuk do të rikthehet Florian Braho. Dejan Dosti, i ardhur nga Apolonia e Fierit e ka të sigurt vendin në mbrojtje, por i djathtë, apo në qendër, kjo nuk është përcaktuar përfundimisht. Mendohet që Ergys Mersini të avancojë më përpara dhe një tjetër futbollist të vendoset mbrojtës i majtë. Ndoshta Zholi, që u aktivizua në këtë pozicion në ndeshjet miqësore që ka zhvilluar deri tani Luftëtari.
Vështirësia qëndron edhe në përzgjedhjen e titullarëve dhe se kush do ta fillojë lojën nga fillimi, por kjo mbetet detyrë e padiskutueshme e trajnerëve. Në pjesën e dytë “teprojnë” shumë lojtarë që në pjesën e parë mund të konsideroheshin titullarë dhe kjo ka edhe anën e mirë, pasi rritet edhe konkurrenca duke i motivuar më shumë në stërvitje për të zënë një vend në formacion.
Gjatë rrugës së kampionatit mungesat do të lindin natyrshëm, por prania e shumë futbollistëve në stërvitje ua bën më të vështirë punën trajnerëve në përzgjedhjen e formacionit. Kjo e ka detyruar trajnerin Bledar Devolli të kërkojë dhe të zhvillojë disa ndeshje miqësore deri në fillimin e pjesës së dytë të sezonit në mënyrë që të bëjë zgjedhjen e duhur dhe të krijojë bindjen e plotë për lojtarët që do të aktivizojë në formacion.