AlbanianSport.com 01.10.2014 09:20
ASNN – Humbja e pësuar në javën e parë të kampionatit ndaj Dinamos, por dhe disa mungesa kryesore në formacion e kanë ulur Luftëtarin me këmbë në tokë. Dhe e gjithë kjo situatë ka favorizuar blutë e kryeqytetit, të cilët janë larguar me tre pikë të arta nga qyteti i gurtë. Por për drejtuesit gjirokastrit kjo humbje ka qenë si një “bombë” e shpërthyer në mes të fushës, ndërsa të gjithë ishin përgatitur për ta nisur sa më mbarë këtë kampionat, teksa shpresohej ngjitja në Superiore.
Por futbolli dhe objektivi nuk fitohet e realizohet në faqe gazetash, veçse merret duke derdhur djersë në fushën e lojës. Dhe për shkak të kësaj humbje me skuadrën është bërë dhe një analizë, e cila ka qenë pa praninë e gazetarëve, ndërsa çdo lojtar ka marrë përgjegjësitë e veta. Menjëherë kanë nisur përgatitjet, ndërsa sot Luftëtari do të presë Bylisin në Kupën e Shqipërisë dhe të shtunën Sopotin në kampionat.
Ekipi ka bërë dhe një ndeshje kontrolli, atje ku trajneri Devolli ka aplikuar dhe skemat taktike të ndryshme në mënyrë që Luftëtari të jetë fitues. Janë skema që do t’i përdorin si në përballjen me ballshiotët, ashtu dhe të shtunën ndaj Sopotit. Në fund të stërvitjes bluzinjtë kanë festuar ditëlindjen e Ergys Mersinit, ndërsa trajneri Devolli ka urdhëruar lojtarët të mos prononcohen për shtyp. Madje kush flet pa lejen e trajnerit do të gjobitet.