AlbanianSport.com 03.03.2016 08:30
ASNN – Provizorisht ekipi do të drejtohet nga Vasil Papa, që deri më tani ka qenë në rolin e drejtorit teknik të ekipit bluzi. Papa, i cili më parë kryente detyrën e drejtorit teknik në këtë skuadër, duket se të shtunën do të jenë i ulur në stolin gjirokastrit në përballjen me Sopotin. Ai ka vijuar me stërvitjen e skuadrës, ndërsa ndryshimi është vënë në dukje në seancën stërvitore të ditës së djeshme, teksa skuadra është përgatitur paradite dhe pasdite.
Dhe dje, pavarësisht se ishte e mërkurë, Papa ka hequr dorë nga ndeshja e kontrollit e zakonshme ku në një përqindje të madhe do të mund të dilte dhe formacioni anti-Sopot. Kryesisht seanca stërvitore është përshkruar nga përgatitja fizike, si dhe një ndeshje mes lojtarëve, por me ndryshimin që mbrojtësit kanë qenë përballë sulmuesve. Sipas trajnerit provizor të Luftëtarit, Vasil Papa, nuk është se aplikohet si më parë një ndeshje e mirëfilltë kontrolli, por zhvillohen të tjera mënyra stërvitore.
Sepse nëse caktohet që tani formacioni i skuadrës, atëherë çmobilizohet pjesa tjetër e ekipit dhe e ka të vështirë të jetë e gatshme për ndeshje. Kjo do të thotë se deri të shtunën, kohë në të cilën do të luhet kjo ndeshje, formacioni i Luftëtarit do të jetë enigmë. Por ajo që është e sigurt është fakti se priten ndryshime në 11-shin e Luftëtarit, ashtu sikurse do të ketë lëvizje dhe në skemë e në vendosjen e lojtarëve në fushë, me qëllimin që Luftëtari të kthehet tek fitorja në kampionat për të ruajtur vendin e parë në renditje.