AlbanianSport.com 07.01.2015 17:15
ASNN – Duke folur për gazetat sportive të ditës, futbollisti Juljan Lluka, që në disa ndeshje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, është shprehur se: “Do t’i përmbahemi deri në fund objektivit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore dhe shtatë pikët që na ndajnë nga Lushnja e vendit të parë janë të rikuperueshme, pasi janë edhe 45 pikë në lojë. Ne jemi të avantazhuar për t’i realizuar këto gjëra.”
“Nuk janë vetëm futbollistët cilësor që po na vijnë në skuadër në kuadrin e merkatos, por do të jetë puna dhe angazhimi i gjithë futbollistëve, – ka vijuar ai. – Deri më tani jo se ka munguar aftësia e gjithsecilit për të arritur tek rezultati, por ka pasur dhe ndikime të tjera, të cilat besoj se nuk do të përsëriten më. Zhvilluam shumë ndeshje me mungesat e shumë titullarëve dhe disa humbje i pësuam nga gabime të evitueshme.”
“Jemi stërvitur në terrene të papërshtatshme dhe në shumë ditë e kemi zhvilluar stërvitjen në Pallatin e Sportit dhe në “kalçeto”, – ka theksuar gjirokastriti. – Tani gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe kryesorja është se tani kemi një fushë stërvitore që nuk e ka çdo skuadër. Na jepet mundësia që në terrenin modern të Fushës së Vjetër të stërvitemi në çdo kohë pa marrë parasysh kushtet e motit.”
“Besoj se në mbyllje të fazës së dytë do t’i bashkohemi ekipeve të kreut të klasifikimit për t’ia lënë fazës së tretë”luftën”për vendin e parë në grup”, – ka përfunduar futbollisti i Luftëtarit, Juljan Lluka.