AlbanianSport.com 13/09/2018 16:40
ASNN – Ismael Dunga ka ardhur më në fund dhe është i gjithi i Luftëtarit. Mesfushori 25-vjeçar nga Kenia, pritej të vinte që në merkaton e verës, pra brenda datës 31 gusht 2018, por, sipas drejtorit teknik të Luftëtarit, Rigels Malile, proceset e gjata të plotësimit të dokumentacionit, e detyruan lojtarin që të vinte me vonesë në Gjirokastër dhe t’i bashkohej skuadrës vetëm të mërkurën.
Dunga ka qenë prezent, në stolin gjirokastrit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë Vora-Luftëtari, por nuk u aktivizua. Ai është vënë tashmë nën urdhërat e trajnerit Millosh Kostiç dhe pritet të aktivizohet të dielën në ndeshjen Tirana-Luftëtari. Një sfidë tepër delikate kjo për skuadrën gjirokastrite që pas tri humbjeve të para në kampionat pret kthesën pikërisht ndaj bardhebluve.
Java për bluzinjtë ka nisur me dy seanca stërvitore në ditë, por pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, trajneri Kostiç ka vendosur që lojtarët të kryejnë vetëm një seancë në ditë dhe vetëm paradite. Gjatë minutave që trajneri ka patur në dispozicion ka zhvilluar me lojtarët skema të ndryshme taktike, duke parë përshtatshmërinë e lojtarëve me secilën skemë.
Ai ka mbetur shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të rinj që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Vorës. Trajneri i gjirokastritëve është shprehur se kjo është një ndihmesë e madhe për ekipin sepse krahas titullarëve do të ketë mundësi për të bërë zgjedhjet e duhura gjatë ndërrimeve në ndeshje. Duke iu dhënë mundësi edhe lojtarëve të rinj për t’u aktivizuar.