AlbanianSport.com 11.01.2015 21:55
ASNN – Në përgatitjen e djeshme të Luftëtarit janë vënë re shumë mungesa futbollistësh. E kjo sidomos nga ata lojtarë që janë vendës, të cilët pak janë aktivizuar gjatë pjesës së parë të kampionatit në Kategorinë e Parë me skuadrën gjirokastrite. Pas largimit të Zhupës dhe Aliaj, ky i fundit do t’i bashkohet sot Memaliajt në Kategorinë e Dytë, edhe Zholi nuk është paraqitur asnjë ditë në stërvitje. Qejvani, sipas drejtuesve gjirokastritë, ka kërkuar disa ditë leje.
Po kështu edhe Kadri Kazma është larguar që në ditën e parë të stërvitjes, ndërsa kanë munguar dhe lojtarë të tjerë, kryesisht nga ata që kanë qenë pjesë e stolit të rezervave. Kanë ardhur në këtë periudhë Braho, Dosti dhe Tahirllari, si edhe Dobro, futbollist me aftësi të kufizuara. E sipas trajnerit të gjirokastritëve, Bledar Devolli, tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër është përsëri i hapur dhe Luftëtari mund të përfitojë përsëri përsa u përket përforcimeve.
Kuçovari Papa është parë dje në ambientet e fushës së stërvitjes, por nuk është bashkuar me grupin e lojtarëve, pasi është në pritje të përgjigjes së presidentit Flamur Bime. Sepse është ai që vendos mbi bazën e kërkesës dhe ofertës për lojtarët që do të merren në skuadër. Trajneri Devolli ka marrë “dritën jeshile” nga presidenti Bime që të afrojë në skuadër në merkaton e kësaj periudhe ato futbollistë që ai mendon se i duhen skuadrës për të përballuar fazën e dytë dhe kampionatin në vazhdim me të vetmin synim realizimin e objektivit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Mendimi është të afrohen futbollistë nga ekipet e Kategorisë Superiore në ato role që skuadra ka pasur mangësi. Është fjala për futbollistë që aktivizohen në sulm, ndërsa nuk mjafton vetëm Tahirllari i ardhur nga Elbasani. Ndaj Devolli është në kërkim të futbollistëve të tjera, jo vetëm të plotësojë repartet e skuadrës me futbollistët e duhur, por edhe në kompensim të atyre që janë larguar deri tani.