AlbanianSport.com 06/09/2019 19:45
ASNN – Klodian Duro rikthehet në postin e drejtorit teknik, greku 46-vjeçar merr “frenat” e skuadrës. Nuk ka paqe në Gjirokastër, teksa ndryshon për herë të 3-të emri i stolit të skuadrës së futbollit të Luftëtarit. Teksa ka zgjatur fare pak aventura e Klevis Dalipit, vendin e tij e ka marrë një tjetër elbasanas, Klodian Duro, i cili kishte shërbyer më parë në detyrën e drejtorit teknik. Në drejtimin e Duros, skuadra i ka humbur 3 ndeshjet e para të sezonit të ri të Kategorisë Superiore, çka duket se ka çuar në vendimin e emërimit të një trajneri të ri.
Pas lëvizjes së Klodian Duros, nga trajner i Luftëtarit, duke u kthyer sërish në pozicionin e drejtorit sportiv, bluzinjtë kanë zyrtarizuar menjëherë të premten timonierin e ri në krye të ekipit. RTSH Sport ka mësuar se trajneri i ri i Luftëtarit është Jorgos Marantas. 46-vjeçari grek, drejton si trajner që nga viti 2008, dhe të gjithë karrierën e tij ka qenë në krye të ekipeve inferiore greke. Disa prej skuadrave që ka drejtuar Marantas janë PAS Lamia, Panahaiqi, Kavala, Trikala apo Panelefsiniakosi.
Ekipi i fundit i tij ka qenë Aris Avatou, në krye të cilit ka qenë nga korriku i 2018-ës, deri në shkurt të 2019-ës. Aktualisht, Luftëtari mbyll fundin e renditjes së Kategorisë Superiore, me 0 pikë, pasi i ka humbur të 3 takimet e para të këtij sezoni, duke shënuar vetëm një gol dhe duke pësuar plot 7 gola. Prova e parë për trajnerin grek të gjirokastriteve do të jetë përballja me Flamurtarin, skuadrën me të cilën ndan fundin e renditjes.