AlbanianSport.com 27.10.2014 10:25
ASNN – Pas 360 minutave lojë në kampionat, në skuadrën e trajnerit Bledar Devolli është kthyer buzëqeshja e munguar në tre javët e para të garës. Sepse në tre javët e para të kampionatit skuadra kishte marrë vetëm humbje.
Dy ishin në shtëpi ndaj Dinamos dhe Sopotit dhe një në fushë të huaj, në Berat nga Tomori vendës. Ndaj Bylisit, Luftëtari ka treguar shpirt të lartë gare dhe ka arritur që të fitojë edhe me një lojtar më pak.
Dhe kjo fitore e së shtunës ka treguar se humbjet e pësuara kanë ardhur nga mungesat e lojtarëve në formacionin bazë. Dhe rikthimi i tyre, por dhe fitorja ndaj ballshiotëve ka bërë që Luftëtari i Bledar Devollit të mos i humbasë shpresat për t’u ringjitur në Superiore, ndonëse është 6 pikë larg kryesueses Butrinti.
Ajo që sjell më shumë shpresë është rikthimi i sportdashësve, të cilët kanë qenë të shumtë në ndeshjen ndaj Bylisit në shkallët e stadiumit Gjirokastra. Ata kanë mbetur të kënaqur me fitoren, ndërkohë që ndeshja me Bylisin ishte “thikë me dy presa” për stafin teknik dhe lojtarët nëse do të kishte një tjetër rezultat negativ.