AlbanianSport.com 13.12.2014 07:05
ASNN – Luftëtari ka udhëtuar një ditë para ndeshjes me Dinamon, të cilën do ta luajë sot në mesditë në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa mbrëmjen e së premtes e ka kaluar në Durrës. Për bluzinjtë përballja me Dinamon është përcaktuese për objektivat e saj, ndërsa Luftëtari kërkon ngjitjen në Kategorinë Superiore. Skuadra gjirokastrite i bëri një nisje jo të mirë këtij sezoni duke humbur tre takimet e para; me Dinamon 0-2, Sopotin 0-1 dhe në Berat ndaj Tomorit vendës 1-3.
Në këto kushte, Luftëtari duket se do të jetë për revansh përballë Dinamos, ndërsa kërkon të “hakmerret” ndaj bluve të kryeqytetit për shkak të asaj humbjeje të papritur në Gjirokastër. Luajtja në fushë të huaj nuk përbën shqetësim për gjirokastritët, sepse ata do të kenë dhe mbështetjen e publikut në “Selman Stërmasi”. Kryesorja është se skuadra gëzon një formë të mirë sportive, ndërsa loja e skuadrës së Devollit po vjen duke u përmirësuar.
Kjo u pa qartë në ndeshjen e zhvilluar në Sarandë, atje ku barazoi me vendësit e Butrintit 1-1. Vetëm pesë pikë larg është Luftëtari ndaj Sopotit që mban vendin e parë në klasifikimin e deritanishëm së cilës do t’i duhet të përballet me Butrintin në Sarandë. Dhe një humbje e librazhdasve komprometon shumë vendin e parë në grupin e Jugut, sepse janë shumë ekipe që pretendojnë të ngjiten në vendin e parë. Formacioni i mundshëm i Luftëtarit për sfidën me Dinamon do të jetë: Thano, Duka, Shenaj, Çunaj, Erg. Mersini, Çaço, Lluka, End. Mersin, Qejvani, Frashëri, Nelaj.