AlbanianSport.com 30/10/2018 16:10
ASNN – Luftëtari fitoi në kuadër të javës së 10-të të Kategorisë Superiore me Kastriotin 0-2 dhe të dy golat e takimit i shënoi Vasil Shkurtaj, i cili tani është i dyti në renditjen e golashënuesve me 5 gola, pas Latifit të Teutës i cili mban kryesimin me 7 gola. Janë 3 gola të tij në dy ndeshjet e fundit dhe sipas specialistëve, Shkurtaj mund të konsiderohet si numri 9 më i mirë i Superiores.
Trajneri i Luftëtarit Gentian Mezani ka bërë një zgjedhje të zgjuar taktike, sepse falë dygolëshit të Shkurtajt në ndeshjen ndaj krutanëve gjirokastritët morën tri pikë të çmuara për renditjen. Por ecuria e Shkurtajt si qendërsulmues do të shihet më mirë në duelin e fundjavës kundër Laçit, ndeshje në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë Superiore. Për momentin trajneri Mezani ka gjetur “magjistarin” e Luftëtarit në repartin sulmues.
Dhe 26-vjecari Shkurtaj, tashmë me përvojë, mund të thuhet se po e nxjerr nga situata e vështirë ekipin gjirokastrit. Që prej momentit që ka ardhur në krye të Luftëtarit Gentian Mezani, futbollisti Shkurtaj ka realizuar 4 gola nga 5 gjithsej që ka shënuar në 10 javët e para të Superiores. Pra Vasil Shkurtaj mund të rezultojë çelësi i suksesit të Luftëtarit për këtë edicion dhe dygolëshi i fundit i tij e provon këtë. Por realiteti i gjirokastritëve mbetet prapëseprapë i vështirë…