AlbanianSport.com 26.02.2015 22:55
ASNN – Duke qenë se objektivi i Luftëtarit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore është i pamundur, atëherë gjirokastritët kanë ndryshuar dhe tashmë kërkojnë të renditen mes pesë skuadrave më të mira të grupit të Jugut në Kategorinë e Parë. Dhe padyshim vendimtare për këtë është ndeshja e javës së ardhshme, atje ku Luftëtari do të presë në fushën e vet Lushnjën kryesuese.
Nëse Luftëtari nuk do të fitojë ndaj lushnjarëve, jo vetëm do ta ketë të pamundur premtimin e ri, por rrezikon rënien nga kategoria. Pasi në vazhdim do të luajë në Peqin përballë Shkumbinit, që është një rival i drejtpërdrejtë për mbijetesën në të Parën. Për ta nxjerrë me sukses këtë ndeshje, Devolli po shton përgatitjet në ditët e stërvitjes dhe vetë futbollistët duken shumë të mobilizuar në përvetësimin e programit stërvitor.
Ditën e djeshme, si zakonisht, Devolli ka zhvilluar ndeshjen e kontrollit dhe nuk është mjaftuar me kaq. Por në përfundim të saj ka praktikuar gjuajtje në portë me shumicën e futbollistëve dhe ushtrime praktike në goditje standarde drejt portës kundërshtare. Madje ka punuar dhe për vendosjen e duhur të mbrojtjes në momentet që në portën gjirokastrite do të ketë goditje këndi, apo dhe goditje standarde nga kundërshtari.
Për takimin ndaj lushnjarëve, Devolli do të ketë vetëm mungesën e mbrojtësit Ergys Mersini dhe ndërkohë rikthehet qendërmbrojtësi Rexha. Nga mënyra se si u vendos në fushë skuadra, që mendohet se do të përballet me Lushnjën, duket se do të luajë me skemën 4-3-3, atje ku reparti i sulmit me ardhjen e Brahos do të përbëhet edhe nga Çaço dhe Tahirllari.
Kjo mënyrë loje u praktikua në pjesën e dytë të ndeshjes me Naftëtarin dhe loja e zhvilluar atje pati më shumë agresivitet dhe sipas tyre ishin gjyqtarët që frenuan lojën sulmuese të skuadrës gjirokastrite. Shumë shpresa ka Luftëtari të shënojë ndaj Lushnjës, nisur nga individualitetet e Çaços dhe Brahos, sidomos nga shpejtësia që zotërojnë në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Luftëtari, me përjashtim të dy ndeshjeve të para të këtij kampionati, është justifikuar nga mungesa e shumë titullarëve. E në ndeshjet e tjera ka dalë fitues dhe shpreson shumë që të fitojë edhe ndaj lushnjarëve. I duhet fitorja, jo vetëm me vlerën e tri pikëve, por me shpresën se Shkumbini dhe Naftëtari do të lënë pikë në fushë të huaj. Dhe nëse ndodh kështu, Luftëtari do të shkëputet më shumë ndaj tyre dhe i takon që në fazën e tretë të jetë më e favorizuar nga kalendari në takimet direkte duke përfituar që ato t’i zhvillojë në fushën e vet.