AlbanianSport.com 27.01.2015 18:35
ASNN – Ditët e fundit, edhe pse të shoqëruara me shumë reshje shiu, nuk e kanë penguar Luftëtarin që të stërvitet rregullisht nën drejtimin e trajnerëve Devolli, Shane dhe Lamaj.
Zhvillimi i stërvitjes me kohë të plotë është favorizuar nga kushtet shumë të mira të terrenit të stërvitjes në impiantin e ri të Fushës së Vjetër. Është një mundësi që skuadra gjirokastrite në pjesën e dytë të Kategorisë së Parë, që do të fillojë në javën e parë të muajit shkurt, të jetë më e përgatitur sidomos në treguesit fizikë.
Në pjesën e parë, nga mungesa e një fushe të mirë për stërvitje, ekipi manifestoi mangësi në këtë drejtim dhe kjo u pa qartë në disa ndeshje. Sidomos kjo në pjesët e dyta, atje ku niveli i lojës nuk kishte ritmin e duhur dhe kjo u reflektua në ndeshje duke pësuar disa gola në përfundimin e kohës së rregullt.
Duket e kapërcyer kjo mangësi dhe nga mënyra si vepron skuadra në stërvitje duket qartë se po punohet më shumë në përvetësimin e skemave taktike dhe për një vendosje sa më mirë të futbollistëve në fushë në përshtatje me cilësitë dhe aftësitë që zotërojnë.