AlbanianSport.com 10/02/2019 19:55
ASNN – Luftëtari dhe Flamurtari ndanë nga një pikë të dielën në kuadër të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Ishte një ndeshje e rivalizuar, por jo në lartësinë e kërkuar të emocionit. Pritej më shumë nga të dyja skuadrat, nisur dhe nga pozitat e vështira që kanë në klasifikim. Vlonjatët e kanë nisur në krizë këtë vit dhe nuk po ia dalin të marrin pikët e mjaftueshme që bëjnë diferencë, kurse gjirokastritët, në një krizë të pakuptueshme, midis financave të munguara dhe paqartësisë për të ardhmen, fitojnë atëherë kur nuk pritet dhe humbasin atëherë kur nuk duhet.
Sidoqoftë, në duelin midis “shqiponjave” gjirokastrite dhe “kuqezinjve” të Vlorës, pati paqe dhe një barazim të thatë pa gola 0-0. Nga një pikë për të dyja skuadrat që nuk u vlen shumë, por të paktën barazimi është rezultat pozitiv dhe në një duel të tillë është i pranueshëm. Rezultati shkoi në përputhje me lojën që bënë të dyja skuadrat, kështu që ishte një barazim i drejtë. Pas kësaj ndeshjeje, Luftëtari mbetet në vend të 7-të me 21 pikë, 5 pikë më shumë se dy vendet e fundit që mbahen nga Kamza dhe Kastrioti.
Kurse Flamurtari shkon në 30 pikë, në vend të 6-të, po kaq sa Skënderbeu i vendit të 5-të. Ndërkohë, java e 21-të mbyllet të hënën në mbrëmje, me ndeshjen Skënderbeu-Laçi, një duel mes rivalësh direktë në vendet 4 dhe 5 në renditje. Natyrisht, për korçarët është momenti të tregojnë se humbjet e fundit kanë qenë të rastësishme dhe se është momenti i duhur të bëjnë kthesë, në të kundërt situata mund të përshkallëzojë më keq dhe korçarët të futen në zonën e mbijetesës.
Kategoria Superiore
Java e 21-të
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Partizani – Kastrioti 2-0
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Kukësi – Tirana 0-1
Luftëtari – Flamurtari 0-0
Teuta – Kamza (17:00)
Të hënën, 11 shkurt 2019:
Skënderbeu – Laçi (18:00)