AlbanianSport.com 24.10.2014 09:45
ASNN – Situata në të cilën ndodhet Luftëtari është e vështirë dhe kjo ka kaluar jo pa u vënë re nga drejtuesit. Sidomos nga presidenti i ekipit, Flamur Bime, që ka vënë si kusht këtë javë fitoren e ndeshjes me Bylisin. Në të kundërt do të ketë penalizime. Tre ndeshjet e zhvilluara deri më tani nga Luftëtari kanë sjellë vetëm tre humbje, ndërsa kështu e kanë vënë skuadrën përpara përgjegjësisë për ndeshjen e radhës me Bylisin e Ballshit. Ndeshja e cila të shtunën do të luhet në Gjirokastër.
Vetëm fitorja e shpëton skuadrën e trajnerit Devolli nga ndëshkimet, ndërsa një javë më parë është mundur 1-3 në Berat ndaj Tomorit vendës. Në “shënjestër” nuk janë vënë vetëm drejtuesit aktualë të ekipit, por edhe disa futbollistë, emrat e të cilëve mbahen sekret për të mos i rënduar psikologjikisht para ndeshjes me Bylisin. Një mbledhje e presidentit të ekipit, Flamur Bime, me bordin drejtues dhe disa ish-futbollistë vendës, kjo të nesërmen e ndeshjes me Tomorin, nuk ka dhënë masa ndëshkimore për skuadrën. Gjithçka është kaluar vetëm me paralajmërim, ndërsa ultimatumi ka qenë i qartë.
Kjo dha efektin e vet gjatë javës përgatitore për ndeshjen e së shtunës, pasi vërehet një mobilizim dhe përkushtim më i madh në stërvitje. Veçse kjo situatë mobilizimi nuk dihet se sa do të ndikojë në lojën që do të manifestohet nga Luftëtari në përballjen me ballshiotët. Janë pak ditë që mund të ndryshojnë dhe të përmirësojnë në shkallën e duhur të metat e vërejtura në tre ndeshjet e zhvilluara deri tani. Për këtë qëllim, Luftëtari lëshoi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë duke u paraqitur në ndeshjen e kthimit me formacionin e dytë.
Titullarët vazhduan stërvitjen dhe në ditën e djeshme u shpërngulën përsëri në fushën sportive të Derviçianit. Loja dhe përfundimi i ndeshjes Luftëtari-Bylis është konsideruar edhe si shansi i fundit për trajnerët, por edhe futbollistët që mund të penalizohen deri në rishikim të kontratave. Nga përgatitja që ekipi ka zhvilluar gjatë kësaj jave duket se kritika është kuptuar drejtë dhe pritet fitore me lojë dhe rezultat ndaj ekipi ballshiot.