AlbanianSport.com 09/01/2019 12:55
ASNN – Luftëtari është një nga skuadrat e Kategorisë Superiore që po e kryen fazën përgatitore në vend. Por kushtet jo të mira atmosferike e kanë detyruar ekipin e drejtuar nga Gentian Mezani të zhvillojë seancat stërvitore në pallatin e sportit të qytetit. Realdo Fili, një nga futbollistët e ardhur gjatë merkatos së dimrit të gjirokastritët siguron se bashkë me pjesën tjetër të ekipit, do të japin maksimumin edhe në këto kushte.
Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë, bora dhe moti i ftohtë nuk ka kursyer edhe Gjirokastrën. Stadiumi “Luftëtari” është i mbuluar nga bora dhe në këto kushte skuadra gjirokastrite e futbollit është detyruar të vazhdojë stërvitjen në mjediset e brendshme të pallatit të sportit. Nën drejtimin e trajnerit Gentian Mezani, lojtarët po kryejnë ushtrime të ndryshme.
Midis tyre është edhe Realdo Fili, futbollist i ardhur gjatë merkatos dimërore nga Skënderbeut, i cili shpreh kënaqësinë që iu bashkua gjirokastritëve, ku shpreson të ketë më shumë minuta lojë. Fili nuk ka luajtur shumë gjatë fazës së parë me Skënderbeun. Kjo solli edhe pakënaqësi të lojtarit duke e detyruar atë të largohet. Në anën tjetër, Realdo kërkon të jetë një vlerë e shtuar për Luftëtarin.
Siç dihet situata financiare te Luftëtari nuk është e mirë. Por për sulmuesin kjo duket se nuk ka shumë rëndësi. Në pamundësi për të kryer fazën përgatitore në një vend me klimë më të ngrohtë, Luftëtari do të vazhdojë senacat stërvitore në pallatin e sportit. E Fili garanton se ata do të japin maksimumin.