AlbanianSport.com 23.09.2014 18:00
ASNN – Mbrojtësi fierak, Ervin Sulejmani, pësoi një dëmtim dy ditë përpara se duhej të niste sezoni i ri i Kategorisë së Parë, më 13 shtator, por për të duket se ka qenë me fat shtyrja e kampionatit, sepse tani e ka kaluar dëmtimin, ndërsa do të jetë qind për qind gati për përballjen ndaj Dinamos.
Duke folur për gazetat sportive të ditës, Sulejmani do të deklaronte: “Shtyrja e kampionatit na ka motivuar të jemi akoma më në formë për të përballuar me shumë sukses ndeshjen e parë ndaj Dinamos, e cila konsiderohet shumë e fortë, ndërsa blutë kanë një skuadër me shumë kualitete.”
“Ne jemi munduar që gjatë këtyre ditëve të rregullojmë edhe ato pak gabime, që janë shfaqur në stërvitjet, – ka vijuar fieraku i gjirokastritëve. – Dhe këto stërvitje, gjithnjë nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, janë vlerësuar të gjitha nga lojtarët e Luftëtarit. Tani vihet re se ka një mobilizim të madh dhe kjo për arsyje të ndeshjes së rëndësishme që do të luajmë në fushën tonë ndaj dinamovitëve.”
“Në këtë takim do të luajmë vetëm për tri pikë dhe për të kënaqur sportdashësit tanë, të cilët mezi po presin që të na shohin zyrtarisht në fushën e lojës, – ka theksuar ai. I ftoj të gjithë të vinë në stadium dhe të na mbështesin të shtunën, sepse të gjithë bashkë do ta shijojmë fitoren ndaj Dinamos.”
“ Duke qenë i bindur në ato që thashë, fitorja ndaj Dinamos është më shumë se e sigurt”, – ka përfunduar mbrojtësi fierak i Luftëtarit, Ervin Sulejmani.