AlbanianSport.com 31.01.2015 19:30
Mbrojtësi i ardhur nga Apolonia ka premtuar ndihmën e tij për skuadrën bluzi të Devollit: “Kam parë që në Gjirokastër e duan futbollin dhe kam bindjen se do ta nderojmë këtë ekip”. Luftëtari ka pushuar me detyrim dje, kjo edhe për shkak të kushteve të këqija atmosferike. E gjithçka ka ardhur vetëm një ditë pas përfundimit të ndeshjes miqësore me Tepelenën, e cila pati përfunduar 0-0. Për herë të parë me Luftëtarin në këtë miqësore u aktivizua edhe mbrojtësi Dejan Dosti, i cili ka ardhur nga Apolonia në radhët e bluzinjve.
Për Gazetën e Sportit, Dosti do të deklaronte: “Nuk dua ta analizoj miqësoren e djeshme, pasi terreni i fushës na imponoi të kalonim thjeshtë në një stërvitje të zakonshme. Por nga aq sa kam parë dhe jetuar këto ditë në Gjirokastër mendoj se Luftëtari nuk duhej të ishte në atë pozitë në renditje në të cilën ndodhet sot. Shumë shpejt do të realizojmë premtimin e marrë se do të pozicionohemi midis ekipeve pretendente për në Kategorinë Superiore nga grupi i Jugut. Përbërja e ekipit është me futbollistë cilësorë dhe nuk është ndryshimi tek ardhja ime e Tahirllarit.”
“Por vetë lojtarët vendës e pranojnë në bisedat midis nesh se ka shumë përparime në lojën e tyre dhe përgatitje shumë më të avancuar nga ajo e pjesës së parë të sezonit, ka vijuar ai. – Pasi kushtet e stërvitjes tani janë të plotësuara dhe shohin një përmirësim tek vetvetja në të gjithë treguesit që i nevojiten një futbollisti. Kjo sidomos në aspektin e përgatitjes fizike. Luftëtari ka një grup futbollistësh me moshë të re dhe mendoj se nëse ky grup lojtarësh do të jetë i bashkuar deri në fund të sezonit, ai do ta bëj realitet objektivin për t’u ngjitur në Superiore.”
“Në Gjirokastër, edhe pse nuk kam shumë pak ditë që po stërvitem, kam vënë re se ka një interesim për lojën e futbollit dhe mbështetje në të gjitha drejtimet. Kjo na motivon që të japim maksimumin e mundshëm dhe kjo nuk do të mungojë nga ana e jonë dhe i premtoj publikut vendës se në pjesën e dytë të sezonit do të shikojnë një Luftëtar tjetër dhe nuk do të jetë surprizë nëse do të dalim të parët në grupin tonë”, – ka përfunduar mbrojtësi i Luftëtarit, Dejan Dosti.