AlbanianSport.com 12.01.2014 11:40
ASNN – Në ndeshjen testuese brenda familjes, trajneri Devolli praktikoi në role të reja disa lojtarë dhe provoi formacionin që do ta nisi nga fillimi takimin me Pogradecin. Në mungesë të Frashërit do të vendoset në rolin e mbrojtësit të djathtë mesfushori Duka dhe i riu Mariol Kazma do të debutojë që nga fillimi si titullar, duke bërë edhe plotësimin e duhur në mesfushë. Ndërkohë që mungesat e tjera do të zëvendësohen nga Brahimi dhe Zholi, që nuk mund të konsiderohen debutues në formacionin gjirokastrit.
Vetëm jo të aktivizuar sa duhet deri tani nga vetë konkurrenca që ka në këtë skuadër. Sidomos kjo me afrimin e futbollistëve të tjerë nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Braho do të jetë në formacion në ndeshjen me Pogradecin dhe së bashku me Tahirllarin do të përbëjnë vijën e sulmit, repart në të cilin Devolli shpreson shumë t’i japin fitoren ekipit të tij. Ka një frymë mobilizimi në skuadrën e Luftëtarit përpara ndeshjes me Pogradecin dhe të gjithë shprehen se fitoren nuk do ta diskutojnë.
Kjo duket nga mobilizimi në stërvitje, ndërsa skuadra, pavarsisht kushte të këqija të motit, ka një përqendrim më të madh dhe dëshirë për t’u përgatitur sa më mirë. Humbja një javë më parë në Ballsh i motivon të japin maksimumin dhe vetëm fitorja u jep shpresë për të pretenduar ende në objektivin me të cilin u futën në garë në këtë kampionat, ngjitjen në Superiore.