AlbanianSport.com 24.01.2015 13:15
ASNN – Trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ka folur për herë të parë për gjendjen e skuadrës së tij për mediet sportive. “E konsideroj gjendjen të kënaqshme në skuadër dhe jemi të bindur se shumë shpejtë do të vihemi në udhëheqje të grupit, – ka deklaruar ai. -Shpresojmë që në fund të fazës së dytë tu bashkohemi ekipeve të tjera pretendente për në Kategorinë Superiore. Nëse do të fitojmë takimin parë të pjesës së dytë, në Ballsh ndaj Bylisit, them se më tutje rruga jonë do të jetë “autostradë”. Kemi afruar në skuadër dy lojtarë cilësor, Dostin dhe Tahirllarin, presim dhe të tretin.”
“Me këta dy lojtarë formacioni i skuadrës tonë jo vetëm bëhet më i plotë, por zgjidhim drejt edhe vendosjen e skuadrës në fushë, – ka vijuar kreu i stolit të skuadrës gjirokastrite. – Dejan Dosti në mbrojtje dhe Artnant Tahirllari në sulm do t’u japin më shumë hapësirë futbollistëve të tjerë dhe secili do të ketë pozicionin e duhur. Deri më tani më është dashur të bëj vendosje futbollistësh në fushë në pozicione të detyruara dhe në role të tjera.”
“Nuk është vetëm prania e këtyre dy lojtarëve në skuadrën tonë që e bën ekipin më pretendues, por tek të gjithë futbollistët në stërvitje ka një përqendrim dhe dëshirë për t’u stërvitur dhe përvetësuar sa më mirë detyrat, – ka theksuar ish-futbollisti i Tiranës dhe Partizanit, ndër të tjera. – Duket se ka një konkurrencë midis tyre, kjo nga numri i shumë futbollistëve që po përgatiten. Ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, atje ku u ndje shumë mungesa e lojtarëve, tani kemi një numër futbollistësh që edhe unë do ta kem të vështirë në përzgjedhjen e formacionit.”
“Parimin tim ua kam thënë disa herë futbollistëve, që do të aktivizohet ai lojtar që dallohet gjatë javës përgatitore. Ndaj po shoh që kanë shumë dëshirë në zbatimin dhe kryerjen e ushtrimeve gjatë stërvitjes. Luftëtari i këtij viti është shumë më ndryshe nga të gjithë treguesit e fazës së parë dhe këtu e mbështes bindjen time se do të jemi nga ekipet pretedente për Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli.