AlbanianSport.com 27.09.2014 13:10
ASNN – Në prag të ndeshjes me Dinamon, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, do të shprehej: “Është ndeshja e parë e kampionatit, ndërsa unë do ta drejtoj për herë të parë në një ndeshje zyrtare këtë skuadër. Bëhet fjalë për ekipin në të cilin jam rritur si futbollist dhe detyra që më është ngarkuar si trajner unë do ta çoj me sukses deri në fund. Fati na ka buzëqeshur pasi në kampionat do të zhvillojmë 2 ndeshje në fushën tonë dhe ndeshjen e parë e luajmë ndaj një ekipi si Dinamo. Ndoshta shtyrja e kampionati na ka ndihmuar për të rregulluar ato pak gabime që mund të kemi shfaqur deri më tani në ndeshjet miqësore.
“Mungesat e Sinanit dhe Shehajt nuk besoj se do të ndikojnë në rezultatin e ndeshjes, pasi në skuadrën që unë drejtoj kemi 22 futbollistë dhe kam besim të plotë se 11 lojtarët që do të luajnë titullar do të jenë të uritur për të arritur fitoren e parë të këtij sezoni, – ka vijuar ai. – Gjatë seancave stërvitore kam aplikuar shumë skema, por sipas lojës që mendoj te luajnë futbollistët do të jetë një 4-4-2. Pra më saktë do të jetë një lojë në grup, atje ku sulmojnë dhe mbrojnë të gjithë. Objektivi jonë është që të nxjerim një lojë mjaft të bukur dhe të nderojmë fanellën e Luftëtarit në trevat e jugut. Unë jam një tip i pangopur për ato që caktoj si trajner.”
“Por mesa kam parë nga futbollistët kam krijuar një besim se nuk do të zhgënjejmë. I bëj thirrje sportdashësve gjirokastrite që të jenë sa më të shumtë në stadium dhe të na mbështesin për të ndikuar pozitivisht tek fitorja e skuadrës sonë. Kjo fitore do të tregojë se këtë kampionat jemi skuadra që nuk do ta diskutojmë realizimin e objektivit, atë të ngjitjes në Kategorinë Superiore.” Dhe formacioni i mundshëm i Luftëtarit për ndeshjen ndaj Dinamos do të jetë: Thano, Rexha, Sulejmani, Frashëri, Mersini, Çaço, Lluka, Çunaj, Qejvani, Nelaj, Aliaj.