AlbanianSport.com 20.10.2014 19:00
ASNN – Devolli i shpëton shkarkimit, merr përgjegjësitë e tij. “Asnjëherë nuk e kam pasur ekipin të plotë për shkak dëmtimesh. Por na ka munguar dhe fati.” Trajneri i jepet dhe një shans tjetër në përballjet me Bylisin në Kupë dhe në kampionat. Vetë Devolli e priste me qetësi përfundimin takimit të djeshëm të kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, që është njëkohësisht dhe presidenti i Luftëtarit me disa figura dhe personalitete të futbollit të këtij qyteti.
Sipas trajnerit të ri, rëndësi ka që Luftëtari t’i kthehet fitoreve me, apo pa atë. Devolli shprehet se: “E gjithë përgjegjësia për situatën në të cilën ndodhet ekipi është e imja. Ndeshjet miqësore që zhvilluam para kampionatit, jo vetëm na çuan në një eufori të panevojshme, por na u dëmtuan edhe shumë lojtarë. Sinani, Sulejmani, Duka, Frashëri, Lluka, Shenaj janë më shumë se gjysma e skuadrës. Në Berat munguan katër titullarë. Deri tani nuk kam luajtur asnjë ndeshje me ekipin e plotë.”
“Kam besim se gjendja do të ndryshojë dhe do t’u kthehemi fitoreve, – ka vijuar ish-futbollisti. – Nuk është se humbjet shprehin gjendjen reale të ekipit, sepse kemi qenë edhe të pafat. Kemi zhvilluar lojë më të mirë nga kundërshtari. Kemi lëshuar pak në lojë dhe, në këto moment, jemi ndëshkuar duke pësuar gola aksidentalë të ardhur nga gabime foshnjarake. Gjë që nuk na lejohet ta bëjmë në të ardhmen, sepse nuk na toleron askush.”
“Ekipet janë të përafërta në pikët e fituara dhe nuk do ta konsideroj gjendjen alarmante. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ndryshojmë”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli.