AlbanianSport.com 23.01.2015 21:20
ASNN – Gjirokastritët duket se e kanë përforcuar ekipin me Tahirllarin e Dostin, por duan dhe një sulmues. Duke mos gjetur skuadër për të luajtur, në stërvitjet e pasditës Devolli zhvilloi ndeshje brenda grupit me kohë të plotë duke luajtur edhe ai vetë në njërin krah të fushës.
Nga vëzhgimi i përgatitjes që po kryen skuadra gjirokastrite duket se futbollistët janë më të angazhuar dhe po punojnë shumë gjatë stërvitjes. Nuk është vetëm konkurrenca që i motivon më shumë ata në fushën e stërvitjes, por edhe terreni i fushës që i mundëson të veprojnë lirshëm në fushë.
Të sapoardhurit në merkaton e këtij dimri, Dosti dhe Tahirllari, janë përforcimet e duhura dhe të vlefshme për Luftëtarin, sepse janë lojtarë që vijnë nga Kategoria Superiore. Në pjesën e parë të sezonit skuadra gjirokastrite luajti pa futbollist tipik sulmues dhe Tahirllari e plotëson këtë mangësi.
Megjithëse drejtuesit e Luftëtarit janë në pritje të një tjetër futbollisti në këtë repart. Kjo jo vetëm e bën më të plotë këtë repart loje, por e bën më “agresive” lojën. Dejan Dosti, duke u aktivizuar në mbrojtje, do t’i japë më shumë lirshmëri në veprime Frashërit dhe Çaços, sidomos në daljen e tyre në sulm.
Duket se Luftëtari nuk “heq dorë” nga objektivi për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore dhe jo vetëm përforcimet me futbollistë cilësorë, por dhe mbështetja financiare ia bëjnë më të mundshëm realizimin e objektivit.