AlbanianSport.com 19.02.2015 19:10
ASNN – Futbollisti i Luftëtarit, Ervis Çaço, i cili në përballjen me Pogradecin ishte më i miri në fushë dhe kjo sidomos në pjesën e parë, do të deklaronte: “E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe kemi parasysh se Naftëtari do të bëjë të pamundurën të fitojë. Por ne do të zhvillojmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin pa asnjë dozë nënvlerësimi. Vetëm fitorja na mban brenda objektivit dhe nuk duhet të lëmë më pikë, qoftë edhe në ndeshje të vështira jashtë fushe, si ajo në Kuçovë të shtunën.”
“Kurse në fushën tonë nuk duhet të diskutohet fitorja, – ka vijuar 25-vjeçari i gjirokastritëve. – Në shumë ndeshje në fushë të huaj ne kemi zhvilluar volum loje, por jemi ndëshkuar në moment të veçanta, sidomos në goditjet standarde. Në këtë fazë jemi më të përgatitur falë edhe kushteve shumë të mira që na janë krijuar për stërvitje dhe deri tani e kemi shfrytëzuar në maksimum kohën e stërvitjes. Dhe duket qartë se përgatitja është e gjithanshme.”
“Kemi dy mungesa titullarësh. Jo se nuk janë të nevojshëm futbollistët që mungojnë, por në skuadrën tonë lojtarët nuk bëjnë shumë ndryshim nga njëri-tjetri për nga niveli. Kryesorja është të dalim në lojën tonë dhe të jetë një gjykim sa më i drejtë, sepse në disa takime në fushë të huaj jemi penalizuar padrejtësisht”, – ka përfunduar futbollisti i Luftëtarit, Ervis Çaço.