AlbanianSport.com 26.10.2014 13:40
ASNN – Trajneri i ballshiotëve, Roland Nenaj, ka deklaruar se është ushtruar presion mbi gjyqtarët, pasi, sipas tij, drejtuesi blu thyen derën e tyre. Nga ana tjetër, teksa Devolli i gëzohet fitores së parë të kampionatit, delegati Mone konfirmon rregullsinë e ndeshjes. “Ishte një ndeshje e vështirë, pasi kishim përballë një Luftëtar, i cili kërkonte të rregullonte imazhin”, – ka deklaruar ish-trajneri i Himarës.
“Në fushë është luajtur futboll, por kam pretendime në përfundim të pjesës së parë, sepse në dhomën e gjyqtarëve kanë hyrë disa drejtues të Luftëtarit, të cilët kanë thyer derën e dhomës së gjyqtarëve duke ushtruar presion, – ka këmbëngulur Nenaj. – Ishte njësoi si Serbi-Shqipëri, ndërsa në dhomën e gjyqtarëve hyri një tjetër Ivan i tmerrshëm. Rezultati nuk ka më rëndësi, sepse Luftëtari i duheshin tre pikët.”
Pas akuzës së trajnerit të Bylisit, Roland Nenaj, për thyerje të derës së dhomës së gjyqtarëve nga drejtuesit bluzi, delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, Agim Mone, i ka hedhur poshtë këto deklarata të tij. Sipas tij, në prezencë të shefit të policisë së qytetit, është bërë verifikimi i dhomës së zhveshjes së gjyqtarëve dhe është parë se çdo gjë ishte në rregull.
“I kërkoj të mos bëj deklarata dhe akuza të pabaza për çdo drejtues, – ka përfunduar delegati Mone. – Për këtë dua ta falënderoj dhe policinë, sepse çdo gjë ka qenë në rregull në mbarëvajtjen e takimit.”