AlbanianSport.com 08.02.2015 21:55
ASNN – Në përfundim të ndeshjes së barazuar pa gola me Butrintin, që i la gjirokastritët në zonën e ftohtë, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ka dhënë dorëheqjen, që më pas u pranua nga presidenca. Dhe në përfundim të fazës së dytë, Luftëtari pozicionohet në vendin e parafundit duke lënë mbrapa vetëm Naftëtarin.
“Nga sot nuk jam më trajner i Luftëtarit, – ka deklaruar pas ndeshjes trajner i Luftëtarit, Bledar Devolli. – Ua komunikova këtë futbollistëve në përfundim të ndeshjes dhe tani do t’ia bëj të ditur edhe presidentit Flamur Bime, të cilin do ta falënderoj për bashkëpunim e deritanishëm.
“Nuk jam frikacak, por po “hap krahun”, që gjërat të ndryshojnë. Për sa i përket ndeshjes, ajo ishte e hapur dhe pritej çdo rezultat”, – ka përfunduar ish-futbollisti. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi, ka deklaruar: “Zhvilluam një ndeshje të mirë. Djemtë luftuan dhe i zbatuan drejtë detyrat.”
“Me skuadrën bëj detyrën që më takon, por më duhet të pranoj se po humbasim shumë raste të pastërta dhe kjo po na ndodh në shumë ndeshje. Luftëtarin e kam në zemër. Kam qenë dhe jam pjesë e tij. Pavarësisht situatës, ku ndodhet i uroj suksese”, – ka përfunduar trajneri gjirokastrit i sarandjotëve.