AlbanianSport.com 06.01.2015 09:50
ASNN – Sot vjen dhe korçari Tahirllari, ndërsa bluzinjtë duan dhe vlonjatët Beqiri e Liçaj. Më shumë se 30 futbollistë janë grumbulluar në ditën e parë të stërvitjes së Luftëtarit për Vitin e Ri 2015. Seanca stërvitore është zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli dhe ndihmësit të tij Ledion Shane. Nga futbollistët që mbyllën pjesën e parë të sezonit në Kategorinë e Parë munguan Sulejmani, Nelaj, Shehaj.
Të tre këta futbollistë nuk do të jenë më pjesë e skuadrës bluzi, por në të njëjtën kohë edhe Aliaj e Zhupa duket se do të largohen drejt ekipeve të Kategorisë së Dytë. Madje Kosta Aliaj në fundvitin 2014 është thënë se është bërë pjesë e Memaliajt. Në ditën e parë të stërvitjes në skuadrën gjirokastrite ishin të pranishëm të gjithë lojtarët e tjera, ndërsa përjashtim bënte vetëm Qejvani, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës sot.
E veçanta e ditës së parë të stërvitjes ishte prania e dy futbollistëve të rinj, që do të jenë pjesë e Luftëtarit në vazhdim të kampionatit. Florian Braho i është bashkuar përsëri skuadrës së vet, kjo pas qëndrimit tre muaj në Zvicër. Kurse Dejan Dosti është prurja e dytë në këtë skuadër. Dosti vjen nga Apolonia e Fierit, ndërkohë që më parë është aktivizuar edhe me Dinamon.
Priten përforcime të tjera në skuadrën gjirokastrite, atje ku dhe korçari Artan Tahirllari pritet të vijë sot në Gjirokastër. Madje nuk do të jetë i fundit, sepse Luftëtari pritet të bëjë për vete dhe vlonjatët Beqiri dhe Liçaj. Sipas trajnerit Devolli në ditët në vazhdim do të vijnë edhe tre-katër futbollistë të tjerë.