AlbanianSport.com 03.10.2014 15:25
ASNN – Ndoshta bluzinjtë e Luftëtarit e kanë harruar humbjen e parë të kampionatit me Dinamon në Gjirokastër, teksa kanë bërë kthesën në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, të cilët e fituan me rezultatin 2-1. Që do të thotë se në përballjen me ballshiotët, gjirokastritët nuk kanë paraqitur në fushë atë që prodhuan me Dinamon në kampionat. Dhe kjo paraqitje e mirë në mesjavë duket se është një sinjal pozitiv për ndeshjen me Sopotin në fundjavë, e cila do të luhet në Gjirokastër të shtunën. Madje bindja e të gjithëve është se bluzinjtë do të kthehen tek fitorja për të vazhduar rrugën e tyre drejt realizimit të objektivit, që është kalimi i tyre në Kategorinë Superiore.
Në kushtet kur tek gjirokastritët vijon heshtja për shtyp e vendosur nga trajneri Bledar Devolli, për mediat sportive të ditës ka folur një ish-futbollist të Luftëtarit të viteve 1974-1978, Saliko Brahimi. “Në radhë të parë, – ka thënë Brahimi, – shpreh keqardhjen për humbjen e kësaj skuadre në ndeshjen ndaj Dinamos. E them këtë sepse skuadra gjirokastrite ishte një nga ekipet që nisi punën për sezonin e ri më shpejt nga çdo skuadër tjetër. Madje ishte bindëse dhe me afrimin e disa futbollistëve gjatë tregut të lëvizjeve të verës dhe të gjithë menduam se kjo skuadër nuk do të na zhgënjente ndaj Dinamos.”
“Dhe kishim parasysh jo vetëm periudhën përgatitore që kishte bërë, por dhe ndeshjet miqësore, shumicën e të cilave e kishte fituar, – ka vijuar ai. – Unë si specialist në këtë lloj sporti, ndërsa fanella e kësaj skuadre ka një peshë shumë të rëndë, mendoj se humbja shokuese e Luftëtarit na jep disa konkluzione. Ndoshta kjo humbje erdhi dhe si pasojë e disa mungesave shumë me rëndësi në këtë skuadër. Dhe nuk janë pak, por bëhet fjalë për mbrojtësin me një eksperiencë 10-vjeçare, siç është Besmir Sinani. Më pas për mesfushorin Fejzo Shenaj, apo dhe liderin e kësaj skuadre, sulmuesin tonë Arlind Nora.”
“Mendoj se zhgënjimi që na bënë lojtarët e Luftëtarit ishte një mësim për të ardhmen, pasi kampionati ka rrugë të gjatë për të bërë, – ka theksuar veterani i futbollit gjirokastrit. – Prandaj parashikimet nuk kthehen në stilin e të fituarit. Unë mendoj se kjo skuadër ka ende punë për të rregulluar duke u nisur gjithmonë nëse do të mendohet objektivi që duhet realizuar. Unë kam bindjen se trajneri Bledar Devolli do të dijë ta ngrejë nivelin e kësaj skuadre duke u nisur edhe nga kontingjenti i lojtarëve. Futbolli i pranon të tre rezultatet.”
“Por po t’i përmbahemi takimit që Luftëtari zhvilloi për Kupën e Shqipërisë, atëherë mendoj se skuadra kishte shumë ndryshim, të paktën 85 % nga ndeshja me Dinamon. Lojtarët dhanë maksimumin dhe, sipas lojës që zhvilluan, mendoj se do të dijë të shpalosi vlerat ndaj kundërshtarit të radhë, pavarësisht seç skuadër është Sopoti. Por në mendimin tim çdo kundërshtar kërkon realizimin e objektivave të veta, prandaj them se skuadra gjirokastrite do të bëj kthesën e duhur, sepse Luftëtari është ekip që nuk mund t’i mungojë Kategorisë Superiore”, – ka pohuar ish-futbollist i Luftëtarit të viteve 1974-1978, Saliko Brahimi. “
“Dhe këtë e ka treguar edhe historia e kësaj skuadre, pasi është një ekip me traditë në futbollin shqiptar”, – ka përfunduar ai.