AlbanianSport.com 12.01.2014 16:10
ASNN – Kjo sfidë ndan rrugët e gjirokastritëve, luftë për t’u ngjitur në Superiore apo mbijetesë. Bluzinjtë me mungesa, por Devolli ka ditur ta ndërtojë formacionin fitues ndaj liqenorëve. Luftëtari dje ka zhvilluar ndeshjen e kontrollit në prag të sfidës me Pogradecin, të cilën do ta luajë të shtunën në Gjirokastër.
Në këtë test brenda familjes, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ka kërkuar më shumë angazhim nga futbollistët dhe një qarkullim të shpejtë të topit. Sidomos ka kërkuar më shumë saktësi në pasim, sepse, gjithnjë sipas idesë së trajnerit gjirokastrit, vetëm kështu mund të marrë hov loja ofensive e skuadrës.
Aq më tepër që fitorja me Pogradecin është kusht i domosdoshëm për Luftëtarin, që për fat të keq të futbollit gjirokastrit skuadra është për mbijetesë. E thënë ndryshe kjo ndeshje me Pogradecin për Luftëtarin do të jetë përcaktues nëse do të vazhdojë pretendimet për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, apo duhet të luftojë fort për të mos rënë nga Kategoria.
Konsiderohet e vështirë fitorja e gjirokastritëve ndaj Pogradecit, sepse realisht skuadra bluzi ndeshet me mungesa të lojtarëve për shkak të penalizimit të tyre më kartonë të verdhë e të kuq. Në ndeshjen testuese brenda familjes, trajneri Devolli praktikoi në role të reja disa lojtarë dhe provoi 11-shen që do ta nisë nga fillimi takimin me Pogradecin.