AlbanianSport.com 13.10.2014 15:25
ASNN – Kryebashkiaku i Gjirokastrës dhe presidenti i skuadrës së Luftëtarit, Flamur Bime, kërkon ndryshimin e situatës sa më shpejt: “Secili prej pjesëtarëve të skuadrës do të nxjerrë përgjegjësitë për dy humbjet radhazi”. Bime sot e ka kërkuar skuadrën në analizë në mënyrë që duke nisur nga ndeshja me Tomorin, në Berat, Luftëtari të jetë krejtësisht ndryshe në fushën e lojës.
Edhe pse shkurtimisht, Bime për gazetat sportive të ditës do të deklaronte: “Në radhë të parë, edhe duke qenë se jam president i skuadrës së Luftëtarit, jam i kënaqur me paraqitjen që ka skuadra kombëtare në përballjen e së shtunës ndaj Danimarkës. Është një barazim, i cili duhet konsideruar sukses dhe që i hap rrugën ekipit tonë përfaqësues për një tjetër rezultat pozitiv, tashmë në ndeshje e vështirë jashtë përballë Serbisë.”
“Sa për Luftëtarin, mund të them që jam i pakënaqur, sepse në dy ndeshjet e para që kemi luajtur në shtëpi nuk kemi marrë asnjë pikë, – ka vijuar ai. – Dhe kjo është e pafalshme, në një kohë që kemi bërë nëntë blerje cilësore, të cilat jo vetëm që nuk kanë justifikuar asgjë, por nuk kanë bindur për të veshur fanellën gjirokastrite. Në analizën që do të zhvilloj me lojtarët dhe stafin teknik, secili prej tyre duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta.”
“Unë nuk jam as trajner e as futbollist, por në analizë do të vendosim pikat mbi “i” për të gjetur dobësitë. Ndryshe kjo punë nuk mund të eci kështu”, – ka përfunduar Kryebashkiaku i Gjirokastrës dhe presidenti i skuadrës së Luftëtarit, Flamur Bime.